2017-09-07 12:18:00

Papa për Kuvendin e Boses: të ndërmerren hapa të guximshme drejt bashkimit


“Dhurata e mikpritjes” është tema aktuale, që nënvizon Papa Françesku në mesazhin për themeluesin e Bashkësisë së Boses, fra Enzo Bianchi, me rastin e hapjes së Kuvendit XXV ekumenik ndërkombëtar të përshpirtërisë ortodokse, kushtuar këtij virtyti të çmuar të shpirtit njerëzor. “Mikpritja është dhuratë – shkruan Ati i Shenjtë – të cilën, fillimisht, e kemi marrë prej Zotit: jemi miq në këtë botë, kirjuar për ne, që duhet ruajtur, por jemi edhe kalimtarë, të huaj në këtë tokë, sepse miq të dërguar e të pritur në qiell, ku e kemi banesën”.

         “Ndërkaq - shton Papa – jemi të thirrur ta ngulim vështrimin mbi atë, që nuk perëndon, mbi dashurinë që nuk mbaron me njeriun; ta mirëpresim njëri-tjetrin si dhurata të Zotit, të favorizojmë kujdesin dhe dashurinë e ndërsjelltë, të kemi ‘mëshirë, të marrim pjesë në dhimbjen e të vuajturve, ta konsiderojmë si problem personal të keqen, që u bie mbi krye të tjerëve’”, thekson Papa Françesku, duke cituar shenjtin e Kishës Bizantine, Nikolas Kabasilas.

         Në kuvendin e organizuar në bashkëpunim me Kishat ortodokse, marrin pjesë dhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu e ai i Aleksandrisë, Theodoros II. Papa Françesku, duke i përqafuar nga larg, uron që reflektimet e këtij Kuvendi - i cili nisi më 6 e përfundon më 9 shtator - të sjellin hapa më të guximshme e më konkrete drejt bashkimit të plotë të të krishterëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.