2017-09-06 13:21:00

Mbrëmësorja e lutjes në Bogotá, në pritje të Papës Françesku


“Damos el primer paso para comenzar…"

“Ta bëjmë hapin e parë, për ta filluar, me Krishtin, diçka të re për të mirën e gjithë kolombianëve”. Me këto fjalë plot me shpresë, përfundoi në parkun e Dyqindvjetorit, në Bogotá, mbrëmësorja me lutje, lexime e dëshmi, në pritje të arritjes së Papës, pas pak orësh, në Kolumbi. I kryesuar nga imzot Elkin Fernando Álvarez Botero, ipeshkëv ndihmës i Medellin e sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Kolombiane, kremtimi  u mbajt në një pikë kyçe të kryeqytetit, ku kryqëzohen një mori arteriesh, që lidhin rrethinat me qendrën.

Këto, zonat që Papa do t’i vizitojë nesër - pas arritjes - sot, në orën 16.30 me orën kolombiane, 23.30 evropiane, në aeroport, ceremonisë së mirëseardhjes dhe zhvendosjes në Nunciaturë: pallati presidencial,  katedralja, ku është vendosur figurja e Zojës Rruzare të Chiquinquirá, pajtore e Kolombisë e ku radhë të gjata besimtarësh po presin ta nderojnë Nënën e Pajtoren e tyre; Pallati Kardinalor; Nunciatura Apostolike e, së fundi, Parku Simón Bolívar, për Meshën Shenjte, në të cilën priten të marrin pjesë më se 700 mijë vetë.

Dhjetëmijë, policët, që do t’i ndjekin ngjarjet, në një qytet, i cili dëshiron t’i tregojë Papës fytyrën e tij të vërtetë: jo vetëm atë të procesit të pajtimit në vijim, por edhe atë të vështirësive shoqërore, të të pastrehëve, që dergjen në pikë të ditës trotuareve, të të rinjve, shpesh pre e bandave kriminale e të trafikëve të paligjshëm. Të gjithë, të bashkuar nën murales,  muret e pikturuara, që me ngjyrat e tyre tipike latinoamerikane himnizojnë ardhmërinë e paqes për bijtë e këtij vendi.

Shtegtimi i 20-të apostolik i Françeskut “nën shenjën e pajtimit e të paqes”, siç e shkroi vetë Papa dje, në twitter, pas Bogotá-së, do të vijojë Villavicencio, Medellin e Cartagena.








All the contents on this site are copyrighted ©.