2017-09-06 16:11:00

Atë Brian Kolodiejchuk: relikja e gjakut të Nënë Terezës, në tokë shqiptare


Është periudhë e bekuar për Kishën Katolike në trevat shqiptare, në të cilat bashkësia e besimtarëve mblidhet për një sërë shugurimesh. Më 2 shtator, shugurimi i ipeshkvit të ri të Rrëshenit, imzot Gjergj Metës, më pas, kushtimi i katedrales së Tivarit Shën Pjetrit apostull, më 3 shtator, ndërsa jo më larg se dje, më 5 shtator, në Prishtinë, u shugurua shenjtërorja kushtuar Nënë Terezës, pikërisht në ditën e festës së saj liturgjike. Edhe Papa Françesku e kujtoi me një tweet shenjten e madhe shqiptare, meshën e kanonizimit të së cilës e kryesoi vetë në Vatikan, vitin e kaluar.

         Nga Prishtina, kryeredaktori ynë, don David Gjugja, pati rastin t’ia drejtojë mikrofonin postulatorit të Çështjes së shenjtërimit të Nënë Terezës, atë Brian Kolodiejchuk, edhe ai anëtar i degës mashkullore të Kongregatës së themeluar nga misionarja e dashurisë së krishterë. Ja çfarë tha:

         Unë solla reliken e gjakut të Nënë Terezës, diçka vërtet e jashtëzakonshme, sepse, normalisht, kur një famulli na kërkon relike, ne i japim flokë, pasi nuk kemi aq shumë gjak, kemi më shumë flokë. Por [në Prishtinë] desha të sjell reliken e gjakut, sepse gjaku i Nënë Terezës duhet të jetë i pranishëm në një vend me gjak shqiptar, siç ishte edhe ajo vetë. Prindërit e saj vijnë prej këtyre trojeve dhe ajo e quante veten shqiptare: “Shqiptare nga gjaku, qytetare e botës, ndërsa zemra i përket Krishtit”…diçka e mrekullueshme! Jemi njerëz dhe e respektojmë natyrën tonë njerëzore. Nënë Tereza kishte dashuri të madhe për familjen, për rrënjët dhe gjuhën e saj, përveçse për thirrjen e Krishtit, që nga Shkupi e çoi në Indi.

         Pyetjes së don David Gjugjës për marrëdhëniet e shenjtes me familjen e origjinës, atë Brian Kolodiejchuk i përgjigjet, duke dhënë disa informacione, që pak i dinë:

         Nënë Tereza u thoshte motrave se në shtëpi, familja e saj ishte shumë e bashkuar. Ata ishin 5 fëmijë, por 2 vdiqën e kështu, mbetën vetëm 3: vëllai i saj, Lazri; motra e saj, Age dhe ajo vetë. Kur iu përgjigj thirrjes së Zotit për t’u bërë misionare, e ëma kaloi një çast shumë të vështirë. Kujtojmë se i ati nuk ishte më, kishte ndërruar jetë. Nënë Tereza tregonte se e ëma u mbyll në dhomën e vet për 24 orë e gati luajti mendsh. Pas 24 orësh, doli dhe i tha Ganxhes së re: “Nëse dëshiron vërtet të shkosh, vëri duart e tua në duart e Jezusit e mos u kthe më mbrapsht”. Kështu, Nënë Tereza u nis e nuk e pa më kurrë të ëmën. Ajo e dinte se kjo ishte sakrificë e madhe për nënën e, edhe për të motrën, të cilën, gjithashtu, nuk e pa më. Shpesh u thoshte motrave të veta: “Zoti nuk ka nevojë të më gjykojë, se do të më gjykojë nëna. E kam bërë të vuajë aq shumë, sa po të mos i qëndroj besnike thirrjes, nëna do të më gjykojë nga lart”.

         Gati për 10 vjet nuk patën asnjë lloj kontakti e nuk e dinin ç’i ndodhte njëra-tjetrës, pasi e ëma dhe e motra shkuan në Tiranë e prej andej, nuk kishte asnjë lajm. Rreth viteve 1960-61, Nënë Tereza dhe i vëllai u përpoqën të organizonin një takim në kufi, por e ëma ishte e sëmurë e kështu, nuk mundi. Më vonë, i thanë se e ëma dhe e motra nuk mund të dilnin nga Shqipëria, por ajo mund të hynte, vetëm se po të hynte nuk mund të dilte më. Nënë Terezës iu desh të zgjidhte ndërmjet familjes e misionit të saj: zgjodhi misionin. Meqë kishte vuajtur kaq shumë me familjen, Nënë Tereza ishte shumë e ndjeshme dhe i linte motrat të kontaktonin së paku një herë në muaj prindërit. Para Koncilit II të Vatikanit, kjo nuk ishte diçka e zakonshme, por e ajo nuk e mori parasysh rregullin dhe i linte motrat t’u shkruanin familjeve një herë në muaj.

         Cili është mesazhi, që u jep Nënë Tereza, politikanëve dhe qeveritarëve të sotëm, është pyetja e fundit e don David Gjugjës. E duke kujtuar qëndrimin e shenjtes, atë Brian Kolodiejchuk, thekson:

         Nënë Tereza ishte shumë e veçantë në misionin e saj e në qëndrimin, që mbajti kudo shkeli. U thoshte motrave të veta që absolutisht, të mos merreshin me politikë, sepse – pohonte për veten – “nëse do ta bëja këtë, nuk do të kisha kohë për të dashur”. Duke u nisur edhe nga historia e familjes – mendohet se i ati është vrarë nga serbët – ajo ishte shumë e rreptë dhe largohej nga politika. Kur presidentët e pyesnin “pse dëshiron të vish në këtë vend?”, ajo përgjigjej “për të sjellë dashurinë e Zotit”. Ky ishte misioni i saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.