2017-09-04 19:00:00

Videomesazh i Papës Françesku Kolumbisë


I dashur popull i Kolumbisë - këto fjalët e para të mesazhit drejtuar nga Papa popullit të vendit latinoamerikan, që do ta vizitojë pas pak, si shtegtar i shpresës dhe i paqes, për të kremtuar me të besimin në Zotin e edhe për të mësuar nga dashuria e tij e krishterë e nga këmbëngulja në kërkimin e paqes e të harmonisë.

Ati i Shenjtë përshëndet, në vijim,  Presidentin dhe ipeshkvijtë, që e ftuan të vizitojë Kolumbinë. E menjëherë pas, gjithë ata, që përgatiten ta presin  në tokën e në zemrën e tyre, duke i falënderuar për impenjimin, që ky takim të bëhet realitet.

“Ta bëjmë hapin e parë” është motoja e këtij shtegtimi. E kjo - vijon Papa - na kujton se kemi nevojë gjithnjë të bëjmë hapin e parë për çdo veprimtari a projekt. Hapi i parë na nxit të jemi të parët për të dashur, për të ndërtuar ura, për të frymëzuar vëllazërinë. Të bësh hapin e parë të inkurajon të dalësh e ta takosh tjetrin, t’i shtrish dorën e të shkëmbesh shenjën e paqes. Këtë thekson Papa në videomesazhin drejtuar Kolumbisë, duke e lidhur ngushtë me aktualitetin e vendit, që e kërkon prej kohe paqen. Një paqe të qëndrueshme, afatgjatë, që kolumbianët ta trajtojnë njëri-tjetrin si vëllezër  - siç dëshiron t’i shohë Papa - e jo si armiq.

Paqja - kujton në vijim të videomesazhit drejtuar popullit kolumbian Françesku - na kujton se jemi të gjithë bij të të njëjtit atë, që na do e na ngushëllon.

Ndalohet, më pas, tek historia e kësaj toke, të pasur me kulturë, me fe, me burra e gra që punuan me vendosmëri e këmbëngulje për ta bërë vend, në të cilin mbretëron harmonia e vëllazëria, ku Ungjilli njihet e duhet, ku të thuash motër e vëlla nuk tingëllon si shprehje e huaj, por  si thesar për t’u pranuar e për t’u mbrojtur.

Ati i Shenjtë kujton edhe angazhimin e Kishës, e cila është e thirrur të nxisë pajtimin me Zotin e me njerëzit, por edhe pajtimin me ambientin, krijesë e Hyjit, i cili po shfrytëzohet mizorisht.

Në përfundim të videomesazhit, pak para se “të hedhë hapin e parë”, në këtë tokë, e cila e kërkon prej vitesh paqen, Papa shpreh dëshirën që kjo vizitë të jetë si përqafim vëllazëror me secilin prej bijve të këtyre trojeve e, përmes tij, të ndjehet ngushëllimi e dhembshuria e Zotit.

“Të dashur vëllezër e motra - përfundon Papa - dëshiroj t’i jetoj këto ditë mes jush me shpirt të gëzuar e mirënjohje. Ju përqafoj me dashuri dhe i lutem Zotit t’ju bekojë, ta mbrojë vendin tuaj e t’ju  japë paqe. E i kërkoj edhe Nënës sonë, Virgjërës Mari, të kujdeset për ju”.

E në fund - kërkesa e përhershme e Papës - posaçërisht kur përgatitet “të hedhë një hap të ri” në shtigjet e pafundme të botës, për të çuar paqen e Krishtit, aq të dëshiruar nga të gjithë: “Mos harroni të luteni për mua! Faleminderit e mirupafshim së shpejti!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.