2017-09-03 15:54:00

Në 20-vjetorin e kalimit në amshim, një katedrale për Nënë Terezën


Si nesër, më 4 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli shenjte misionaren shqiptare të dashurisë, Ganxhe Bojaxhiun, por ajo mbeti për të gjithë “Nënë Tereza”, siç pati thënë vetë Ati i Shenjtë, duke shprehur mendimin e të gjithëve: do të vazhdojmë ta thërrasim thjesht, Nënë Tereza. Të martën, në Prishtinë të Kosovës, një tjetër shqiptar, martiri i gjallë, kardinali Ernest Simoni, kryeson meshën e shugurimit të shenjtërores, që i kushtohet engjëllit të mjeranëve.

         Vendi i kultit, në stil romanik, ngrihet në qendër të qytetit. Arkitekti është italiani Livio Sterlicchio e trojet e shenjtërores u vunë në dispozicion të Kishës nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova. Guri i themelit u vendos më 26 gusht 2005, por punimet filluan më 5 shtatorin e dy viteve më vonë, për shkak të vdekjes së Rugovës e të ipeshkvit të atëhershëm, imzot Mark Sopi.

         Ipeshkvi aktual, imzot Dodë Gjergji, sqaron se realizimi i shenjtërores është bërë i mundur nga donatorët e diasporës shqiptare nëpër botë. Rezultati është një kishë imponuese, e lartë 32,50 metra, e gjerë 42,30 metra dhe e gjatë 77,40 metra.

Më 15 korrikun e kaluar u njoftua lajmi mbi emërimin e kardinalit Ernest Simoni si i Dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë në shugurimin e Kishës së re, kushtuar Shën Terezës së Kalkutës, në qytetin e Prishtinës (Administratura Apostolike e Prizrenit). Në mikrofonin e don David Gjugjës, i cili e takoi sot kardinalin në shugurimin e katedrales së Shën Pjetrit, në Tivar të Malit të Zi, të dëgjojmë Hirësinë e Tij, Ernest Simoni…








All the contents on this site are copyrighted ©.