2017-09-02 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 22-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës. Leximet biblike të Meshës së kësaj së diele na mësojnë se udha e Zotit është udha e kryqit. Kështu, liturgjia e Fjalës Hyjnore, na paraqet kryqin si përcaktim e zgjedhje të jetës dhe na drejton thirrjen për të ecur gjurmëve të Jezu Krishtit.....

Të ndjekësh Jezusin, si individualisht apo edhe si bashkësi, do të thotë të heqësh dorë nga mënyra e arsyetimit ‘sipas njerëzve’ e të orientohesh sipas mënyrës së arsyetimit ‘ të Zotit’.  Këtë na mëson Jezusi, të cilin pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, e paraqet pikërisht në çastin kur Krishti e shfaq para nxënësve vendimin e tij për t’u nisur drejt Jerusalemit, që do të thotë drejt udhës së kryqit e, me këtë rast, Jezusi ndeshët me kundërshtimin e Pjetrit, i cili orvatet ta bind Mësuesin Hyjnor të heqë dorë nga një vendim i tillë. Mirëpo “Jezusi filloi t’u thotë se duhej të vuante shumë e se do të vritet…” Që atëherë, qendra e tërë historisë njerëzore është fytyra e Zotit të kryqëzuar. Ky është shkandulli i krishterimit. Ta pranosh Jezusin si Mesi është diçka e pranueshme. Por që Mesia duhet ta përfundojë jetën e vet me një vdekje të tmerrshme mbi kryq, ja ajo e vërtetë që për njerëzit është e papranueshme. Me Pjetrin apostull edhe ne i përsërisim Jezusit: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri Jezus! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!”. “Ti Jezus, mashtrohesh, sepse bota nuk do të shpëtohet për një kryqëzim më tepër, ndër miliona kryqëzime të historisë. Është marrëzi. Përdorë mjete tjera, përdore pushtetin, sakralitetin, mrekullinë, autoritetin...”.

Po Jezusi pikërisht këtë refuzon. Ai zgjedh shërbimin, varfërinë e shpirtit, përdëllimin, urinë për drejtësi, zemrën e pastër, ndërtimin e paqes, butësinë, kryqin. Kryqi është shenja maksimale që Zoti na ka dërguar, pika e fundit në të cilën gjithçka e çdo gjë takohet e përkon: udhët e qiellit, udhët e zemrës, udhët e tokës, ku çdo gjë është shkruar me germa gjaku e dashurie, të vetmet që nuk gënjejnë e nuk mashtrojnë. Kryqi, thotë Jezusi, duhet marrë, duhet zgjedhur si udhë e jetës së vërtetë.

                             Nga Ungjilli sipas Mateut (16,21-27)

        Jezusi paralajmëron vdekjen dhe të ngjallurit e vet (Mk 8, 31‑9, 1; Lk 9, 22‑27)

21 Që atëherë Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrisnin e të tretën ditë do të ngjallej.

22 Atëherë Pjetri e ndau veças e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të të ndodhë një gjë e tillë!”

23 Jezusi u kthye e i tha Pjetrit: “Shporru meje, he djallë! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”

24 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! 25 Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.

26 Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet?

27 Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre. Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.