2017-09-02 13:00:00

Imzot Gjergj Meta filloi shërbesën baritore në Rrëshen


Imzot Gjergj Meta, ipeshkvi i ri i Rrëshenit, mori sot në dorëzim dioqezën, pas shugurimit të tij ipeshkvnor në katedralen e qytetit mirditor. I shoqëruar nga lutjet e bashkësisë së besimtarëve, të cilët një javë më parë kishin përcjellë e falenderuar ipeshkvin e mëparshëm, imzot Cristoforo Palmieri e pastaj, ishin mbledhur më 30 gusht për një vigjilje lutjeje, imzot Gjergj Meta filloi sot shërbesën e tij baritore. Mesha e shugurimit, në orën 10.00, u kryesua nga kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, me afërsinë e të cilit, don Gjergji i një dite më parë ka kryer një sërë detyrash: nga famullitari i thjeshtë tek vikari i përgjithshëm dioqezan e tek përgjegjësi i mediave në Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë.

         Në homelinë e rastit, imzot Frendo përshkoi leximet liturgjike, zgjedhur nga vetë ipeshkvi i ri i Rrëshenit për këtë ditë të shënuar të jetës së tij, nga Isaia profet, tek shën Pali apostull e tek Ungjilli sipas Gjonit. Nga ai “nuk jam i denjë” i Isaisë profet, tek fraza e shën Palit, që shpjegon se nuk janë traditat, që na bëjnë katolikë të vërtetë, pavarësisht nga rëndësia e njohja e tyre, por “feja, që vepron me dashuri”. Kjo është edhe motoja, e cila që sot, do të shihet qartë në stemën e imzot Gjergj Metës, sepse atë ka zgjedhur ta ketë gjithnjë parasysh. “Kujtoji gjithashtu fjalët, që kemi dëgjuar gjithnjë në Leximin e Dytë – i tha imzot Frendo – “Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë”. Të lirë për të bërë atë, që është e drejtë. Pa kompromis me persona të korruptuar, me persona që kërkojnë më shumë të shërbehen nga Zoti dhe nga Kisha, se sa t’i shërbejnë Zotit dhe Kishës. S’kemi nevojë për privilegje. Duam vetëm të shërbejmë me ‘fe që vepron me dashuri’”.

         Duke iu drejtuar si vëllau-vëllait, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, gjatë homelisë, kujtoi edhe figurën e shën Pjetrit e komentoi Ungjillin sipas Gjonit, që e paraqet Pjetrin si të zgjedhurin për të ndërtuar Kishën. “Ti je shkëmb” i thotë Krishti, duke i besuar misionin fisnik: “Kulloti qengjat e mij! Kulloti delet e mia!”. Por e gjithë kjo duhet bërë më dashuri, nënvizoi imzot Frendo, pasi vetëm dashuria jep guximin për të kërkuar delen e humbur e “pasi ta kemi gjetur, nuk e rrahim, as e qortojmë me fjalë dënimi, por e përqafojmë, duke e çuar në vathë dhe duke e mbrojtur nga ujku”.

         E në homelinë e imzot George Frendos nuk mund të mos kujtoheshin, martirët e Kishës Katolike në Shqipëri. Ai përmendi sidomos ata nga Mirdita: “të lumët don Jak Bushati, don Mark Gjani, Marie Tuci, Anton Zogaj dhe veçanërisht imzot Frano Gjini, që ka shërbyer si ipeshkëv në Orosh. Për ta mbrojtur popullin, që po torturohej nga komunistët, ai i ka shkruar dy herë letër Enver Hoxhës, edhe duke rrezikuar jetën e vet. Në fakt, si përgjigje të vetme mori arrestimin dhe torturat më çnjerëzore. Para se ta pushkatonin tha këto fjalë të fundit: ‘Rrnoftë Krishti mbret, rrnoftë Shqipnia edhe pa ne’”.

         Të ndjekë shembullin e tyre ishte këshilla e imzot Frendos për imzot Gjergj Metën, ndërsa duke përshkruar afërsinë e tij me ipeshkvin e ri, e përfundoi homelinë me fjalët: “Çdo sukses në jetën tënde le të jetë rast për t’iu drejtuar Zotit duke i thënë: ‘Faleminderit, o Zot, sepse më ke përdorur për ta zbatuar planin tënd’. Gjithashtu, çdo zhgënjim le të jetë për ty rast për të mësuar dhe përjetuar përvujtëri, dhe atëherë, nguliti sytë tek Krishti i kryqëzuar e falenderoje, sepse të ka dhënë rast për t’u rritur në shenjtëri. Gëzohu sepse Krishti të zgjodhi për të bashkëpunuar me të në mënyrë më të ngushtë. Qoftë Ai gjithmonë modeli yt dhe forca jote në kryerjen e misionit tënd fisnik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.