2017-09-01 13:31:00

Dita e Krijimit. Françesku e Bartolomeu bëjnë thirrje për përgjegjësi


“Dinjiteti dhe prosperiteti njerëzor lidhen thellësisht me kujdesin ndaj Krijimit: këtë shkruajnë Papa Françesku e Patriku Ekumenik Bartolomeu në një mesazh të përbashkët për Ditën Botërore të Lutjes kushtuar Krijimit e cila, që prej tre vjetësh, kremtohet më 1 shtator. E fuqishme, thirrja, drejtuar posaçërisht atyre, që kryejnë detyra me rëndësi, për përgjegjësi të përbashkët përballë krizës ekologjike.

Në zanafillë - lexohet në mesazh - Zoti e caktoi njeriun rojtar të ambientit; atij ia besoi tokën, ia dhuroi e ia la trashëgim brez pas brezi. E kështu u ngarkoi të gjithëve përgjegjësinë të kujdesen për të, derisa, në fund të fundit, të gjitha sendet, mbi tokë e në qiell të përmblidhen në Krishtin. Dinjiteti njerëzor dhe zhvillimi lidhen thellësisht  me kujdesin për Krijimin. Por situata e sotme në botë ndryshon shumë – vërejnë me hidhërim Françesku e Bartolomeu. - Prirja për t’i rrënuar ekosistemet delikate e të ekuilibruara të botës, dëshira e pangopur për t’i manipuluar e për t’i kontrolluar  pasuritë e kufizuara të Planetit, lakmia për fitime sa më të pakufizuara, e zbehin  thirrjen tonë për të qenë bashkëpunëtorë të Zotit. “Në vend që të merremi vesh me natyrën, për ta ndihmuar - lexohet akoma në mesazh  - duam të bëhemi zotërit e saj, duke mos e shikuar më si dhuratë, për t’u ndarë edhe me të tjerët, por si pronë private”.

E duke u përdorur në këtë mënyrë, ambienti njerëzor e ai natyror vijojnë të zvetënohen e ky zvetënim rëndon më shumë mbi kurrizin e njerëzve më të varfër e më të ligshtë:

“Ndikimi i ndryshimeve klimaterike - shkruajnë Papa e Patriku - rëndon kryesisht  mbi ata, që rrojnë varfërisht në çdo skaj të globit”. E vijojnë: “Thirrja dhe sfida urgjente e kujdesit për Krijimin i drejtohet mbarë njerëzimit, që duhet të mobilizohet për sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm e të gjithanshëm”.

Dy liderët fetarë së bashku, i ftojnë gjithë njerëzit vullnetmirë t’i kushtojnë sot, 1 shtator, pakëz kohë lutjes për ambientin, duke e falënderuar Zotin për dhuratën madhështore të krijimit dhe duke u impenjuar për ta mbrojtur e për ta ruajtur, në të mirë të breznive të ardhshme. Njëherësh me ruajtjen, është e nevojshme t’i ndryshojmë marrëdhëniet tona me botën, duke  jetuar thjeshtë e me frymë solidare.

Por thirrja më urgjente për përgjegjësi - shkruajnë Papa e Patriku - u drejtohet atyre që kanë pozita të rëndësishme në fushën shoqërore, ekonomike, politike e kulturore, që t’ia vënë mirë veshin britmës së tokës dhe nevojave të njerëzve të harruar në skutat e jetës, e, mbi të gjitha, ta mbështesin miratimin global, që gjithësisë të mund t’i shërohen plagët e hapura nga dora e njeriut. Përballë sfidës së krizës ekologjike dhe ndryshimeve klimaterike në vijim - përfundon mesazhi – “është e domosdoshme një përgjigje e përqendruar e kolektive, që vë në plan të parë solidaritetin e shërbimin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.