2017-08-30 12:07:00

Papa: Zoti nuk do besimtarë, që e ndjekin pa dëshirë


Papa Françesku e mbajti sot audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, duke ia kushtuar katekizmin lidhjes së shpresës me kujtesën, e veçanërisht, me kujtesën e thirrjes.

Jezusi nuk do burra e gra, që i shkojnë pas me pahir, pa ndjerë në zemër flladin e gëzimit- këtë theksoi Papa Françesku gjatë katekizmit, duke shtuar, jashtë tekstit zyrtar:

“Ju, që jeni në shesh, po ju pyes, a e keni në zemër fladin e gëzimit? Secili t’i përgjigjet kësaj pyetjeje”.

Jezusi – nënvizoi më pas Papa -  do pas njerëz që e kanë provuar se të rrish me Të, do të thotë të ndjesh një lumturi të pamasë. Lumturi e cila mund ta rinojë çdo ditë të jetës. Dishepulli i Mbretërisë së Zotit, që nuk është i gëzuar - vijoi të shpjegonte Papa - nuk e ungjillëzon këtë botë. Predikatar i Jezusit nuk bëhesh duke vringëlluar armët e retorikës, por duke e ruajtur në sy shkëndijëzën e lumturisë së vërtetë.

Prandaj i krishteri - kujtoi Françesku - ashtu si Maria - e mban gjithnjë të ndezur flakën e dashurisë. Sigurisht në jetë nuk mungojnë as provat, e as çastet, kur duhet të shkosh përpara, pavarësisht nga e ftohta e nga erërat e kundërta. Por të krishterët e njohin udhën, që të çon tek ai zjarr i shenjtë, të cilin Zoti ua ndezi në zemër një herë e përgjithmonë.

Nuk duhet t’u japim të drejtë njerëzve të zhgënjyer e të palumtur - porositi Papa - e  as ta dëgjojmë atë që, me cinizëm, na këshillon të mos kapemi pas shpresave të kota. Nuk duhet t’i besojmë atij, që e shuan, pa lindur mirë,  entuziazmin, me mendimin se s’ka gjë që vlen aq, sa të flijosh për të gjithë jetën; nuk duhet t’i dëgjojmë zemërplakurit, që ia marrin frymën euforisë rinore. Përkundrazi, duhet të ecim pas pleqve, të cilëve u vezullojnë gjithnjë në sy shkëndijat e shpresës.

E t’i kultivojmë utopitë e drejta – porositi akoma -  Zoti dëshiron të jemi të afttë për të ëndërruar si Ai e me Të, ndërsa ecim plot vëmendje në realitetin, që na rrethon. Të ëndërrojmë një botë ndryshe. E nëse ëndrra davaritet, të ëndërrojmë përsëri, duke e shuar plot shpresë etjen në kujtesën e zanafillës.








All the contents on this site are copyrighted ©.