2017-08-28 12:10:00

Në Katedralen e Prishtinës u kremtua ditëlindja e Nënë Terezës


Të shtunën e kaluar, më 26 gusht 2017, ora 19:00, në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, në Katedralen e Kryeqytetit të Kosovës, u hapën “Ditët e Nënë Terezës”, të cilat do të zgjasin deri më 5 shtator 2017. Kjo ditë shënon edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila do të kremtohet më 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales "Shën Nënë Tereza" në Prishtinë. Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt.... 

Të shtunën që kaloi, më 26 gusht, Kisha e Kosovës organizoi mbrëmje shpirtërore e kulturore, kushtuar Shenjtores së kombit tone, Nënë Terezës, tashmë e njohur si Shën Nënë Tereza e botës. Mori pjesë një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish.

Me kremtimin e 107 vjetorit të lindjes së saj, u hap edhe manifestimi  i nëntëditëshit “Ditët e Nënë Terezës” qe do te zgjasin deri më 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Kishës Shenjtërore me emrin e saj të ndritur, Kisha katedrale “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Këngë te bukura klasike, uratë e poezi përkushtuese te shkruara nga dora e bekuar e Nënë Terezës, i sollën me ndjesinë më të madhe para publikut  artistet, Jehona Gashi, Adelina Paloja  dhe vëlla e motër  Bislim e Lumnije Mucaj, e që u shoqëruan me tinguj të bukur  nga pianistja, Pranvera Hoxha.   

Në këtë mbrëmje madhështore, ne përshëndetjen e tij, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, tha se Festa e 5 shtatorit, sivjet do të jetë e veçantë sepse do ta shugurojmë këtë Kishë, të cilën ia kushtojmë Nënë Terezës, që të jetë një vend ku çdo njeri i vullnetit të mirë, çdo zemër që e do qiellin e tokën të vij, e të shoh se çka do të thotë dashuria dhe shëlbimi në emër të kësaj Dashurie që vjen prej Zotit.

Ai më pas falënderoi, siç tha, të gjithë ata vullnetmire që kanë ndihmuar ndërtimin e kësaj Kishe duke shtuar se edhe ne të gjithë do të bëjmë mire me kontributet tona ne emër te Nënës Terezë për nevojtaret tanë. “Te gjithë lëmoshën bamirësie qe do ta mbledhim, sivjet do t, ua dërgojmë Misionareve te Dashurisë, Motrave te Nënës Terezë ne Peje, te cilat tash e sa vite shërbejnë me përvujtëri”, tha ipeshkvi, Imzot Dodë Gjergji.

Me këtë rast përshëndeti edhe Imzot Lush Gjergji, vikar i Kishës së Kosovës, i cili në mënyrë kronologjike përmblodhi jetën dhe veprën madhore te Nene Terezës. “Ne jetën e Nene Terezës është një regjisor i papashëm por shume i dukshëm e shume veprues, e ky ishte Zoti, i cili e thirri, e udhëhoqi, dh e aftësoi qe te mbetej dashuria ne veprim” tha imzot Lush Gjergji, duke shtuar se nga Nena Terezë kemi çka te marrim e te mësojmë.

Ai veç tjerash përmendi edhe tri parime te Nënës Terezë, qe siç tha, janë porosi e testament për popullin e kishën tonë dhe per mbare njerëzimin. Parimi i pare: Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim. Parimi i dyte: Vetëm dashuria do ta shpëtoj boten. Dhe, parimi i trete tha imzot Lush Gjergji është ai, që Nëna Terezë e ka thëne në Osllo me 10 dhjetor 1979 me rastin e marrjes se çmimit Nobel për Paqe: Se veprat e dashurisë janë veprat e paqes.

“Tani nuk është koha vetëm e nderimit apo falënderimit ndaj Nënës Terezë, por tani kemi arritur në fazën e imitimit. Pra, nëse e duam Nënën Terezë, atëherë ta imitojmë dhe te shkojmë gjurmëve te saj e te veprojmë siç thoshte ajo: Te bëjmë vepra te vogla por me dashuri te madhe”, porositi Imzot Lush Gjergji.

Pas përfundimit te kësaj mbrëmjeje te bukur, pjesëmarrësit vazhduan duke soditur ekspozitën e Sakip Ymerit qe me objektivin e aparatit te tij prej vullnetmiri ka fotografuar te gjitha fazat e ndërtimit të kishës katedrale “Shën Nënë Tereza” ne Prishtine.

Nga Prishtina Rabie-Mrika Ibraj
 








All the contents on this site are copyrighted ©.