2017-08-27 15:29:00

Tweet i Papës: lotët e nënave, për kthimin e bijve


“Sa nëna derdhin sot lot si Shën Monika, duke u lutur që bijtë e tyre të kthehen tek Krishti? Mos e humbisni shpresën në hirin e Zotit!”. Me këtë tweet dukur sot në faqen papnore të internetit @Pontifex, Françesku u rikthye tek një dashuri, që e ka shumë për zemër: dashuria e nënës për birin e vet. Dashuri, që të pushton plotësisht, kjo e nënës, të cilën Papa  e kujtoi në ditën kur Kisha përkujton Shën Monikën, nënën e Shën Agostinit.

Vetë i biri flet për këta lot në kryeveprën e  tij “Rrëfimet”. Ajo, e lindur në vitin 331 pas Krishtit, në gjirin e një familjeje të krishterë, vuajti shumë nga sjellja e të birit që, i edukuar në fe, e braktisi për hir të manikeizmit. Ndonëse Agostini nuk e kishte marrë pagëzimin që kur ishte fëmijë, sepse kështu ishte zakon në ato kohë. Kur vendosi të shkojë në Romë, nëna deshi ta ndiqte pas, por ai, duke përdorur një dredhi, iku i vetëm nga Kartagjena. Monika e kaloi gjithë natën në lot, pranë varrit të Shën Ciprianit. Për t’u nisur menjëherë pas, drejt Milanos, ku e gjeti përsëri të birin. “Ti, o Zot  - shkruan Shën Agostini në “Rrëfimet” - në thellësinë e planeve tua e dëgjove pikën më jetike të dëshirës së saj”, domethënë, kthimin, pendimin e birit, që u pagëzua në vitin 387 mbas Krishtit.

Është një temë, kjo e kujdesit të nënave për jetën shpirtërore e fizike  të fëmijëve, që Papa e kujton shpesh. Jo më larg se të dielën e kaluar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, u ndalua tek Ungjilli i gruas kananease, që i kërkon me ngulm Jezusit t’ia shërojë të bijën e munduar nga djalli. E kjo e bën të besojë në forcën e grave. “Forca shpirtërore e kësaj gruaje, që kapërcen çdo pengesë, buron nga dashuria amtare e nga besimi i patundur se Jezusi do ta ndihmojë. Mund të themi se dashuria e vë në lëvizje fenë, e feja, nga ana e saj, bëhet çmimi, që meriton dashuria”.  

Këtë grua të përvuajtur Jezusi e paraqet si shembull i një feje të patundur. Lutja e saj këmbëngulëse drejtuar Krishtit, që të ndërhyjë, na nxit edhe ne të mos e humbasim kurrë guximin, të mos dëshpërohemi, kur shtypemi nën barrën e provave të jetës. Zoti nuk e kthen kurrë kokën mënjanë, përballë nevojave tona.  

Nga dashuria për ne, Zoti doli nga vetvetja, për të ardhur e për të na takuar në këtë shkretonë, ku s’kish kurrfarë kuptimi të kalonte. Zoti na deshi, edhe kur ishim në gabim. E, për ta kuptuar dashurinë e Zotit për ne, Papa kujton pikërisht dashurinë e nënave që shkojnë në burg për të takuar bijtë e tyre. Nëna vijon ta dojë me gjithë shpirt të birin, edhe kur është në pranga. Në burg nëna nuk kërkon shfuqizimin e drejtësisë njerëzore, sepse çdo gabim duhet shlyer, por vijon të vuajë për të birin. E do fort, edhe kur është mëkatar. Zoti bën të njëjtën gjë me ne: “jemi bijtë e tij të dashur! (audienca e përgjithshme e 14 qershorit 2017).

Në audiencën e parë të përgjithshme të 2017-tës, Françesku na përshkruan edhe figurën biblike të Rakeles, që qan të bijtë në mërgim. Në qendër të vëmendjes, në audiencë, një figurë gruaje, që flet për shpresë, e mbytur në lot: është Rakela, gruaja e Jakobit, që vdes duke nxjerrë në dritë fëmijën e saj të dytë. Pas këtij rrëfimi biblik kaq prekës, Papa pohon:

“Përballë tragjedisë së humbjes të të bijve, një nënë nuk mund të pranojë fjalë a gjeste ngushëllimi, gjithnjë të papërshtatshme, të paafta për ta lehtësuar dhimbjen e një plage, që nuk mund e as nuk do të mbyllet. Një dhimbje që, ashtu si dashuria, nuk shprehet dot me fjalë. Të gjitha nënat e dinë mirë këtë: e janë shumë edhe sot, nënat që vajtojnë e s’ka gjë që t’i ngushëllojë për humbjen e fëmijëve të tyre”:

“Nëse dëshiron t’i flasësh njeriut të dëshpëruar për shpresë, duhet ta jetosh dëshpërimin e tij; e për të terë një lot nga fytyra e njeriut, që vuan, duhet të lotosh bashkë me të. Vetëm kështu fjalët tona mund të jenë vërtet të afta të japin sadopak shpresë”.  

E lotët e nënës lindin pikërisht shpresë. Gjë aspak e lehtë për t’u kuptuar. Por gjithsesi, e vërtetë. Shpesh herë në jetën tonë, lotët mbjellin shpresë, shndërrohen në farë shprese.








All the contents on this site are copyrighted ©.