2017-08-27 16:05:00

Shën Nënë Tereza në përvjetorin e lindjes, dashuri pa kufi për çdo njeri


 Përkujtojmë një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar: Shën Nënë Terezën, Ganxhe Bojaxhiun, në përvjetorin e lindjes më 26 gusht.

Pra, me mirënjohje të thellë ndaj Zotit dhe emocion të veçantë kujtojmë Shën Nënë Terezën, Ganxhe Bojaxhiun, në përvjetorin e lindjes, që bie me 26 gusht. E kujtojmë, e nderojmë ikonën e dashurisë së Zotit, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës, të shqiptarëve e të njerëzimit mbarë që e shndërroi botën e mjerimit me buzëqeshjen e saj, dhe e lusim të ndërmjetësojë pranë Zotit për paqen e njerëzimit mbarë.

Shën Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, asokohe nën pushtimin osman, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, u shpall e Lume në Vatikan nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, u shpall Shenjte në Vatikan nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Shën Nënë Terezë e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".

Për t'iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu edhe atyre shpirtërore të të varfërve të mbarë botës, pa dallim e pa përjashtim, më 7 tetor të vitit 1950 Nënë Tereza themeloi Kongregatën e ‘Motrave Misionare të Bamirësisë’; më 1963 themeloi ‘Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë’; më 1976, ‘degën kundruese të motrave’; më 1979, ‘Vëllezërit kundrues’ dhe më 1984, ‘Etërit Misionarë të Bamirësisë’. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare.

Nënë Tereza organizoi bashkëpunëtoret dhe Bashkëpunëtorët për t’u shërbyer me dashuri, përkushtim e respekt të sëmurëve e të mënjanuarave, njerëzve me fe e kombësi të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu Nënë Terezën të themelonte Misionaret e Dashurisë e më pas edhe Misionarët Shekullarë të Bamirësisë.

Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj. Më 1979 u vlerësua me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen.

Gjithë jeta dhe vepra e Shën Nënë Terezës është një dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria ndaj madhështisë e dinjitetit të çdo njeriu, ndaj vlerësimit të gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, ndaj vlerës së pakrahasueshme të miqësisë personale e të thellë me Zotin, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, meditimit të Fjalës së Zotit, adhurimit të të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, të Jezu Krishtit të Kryqëzuar. Këtu Nënë Tereza gjente ushqimin e saj shpirtëror dhe fuqinë për të kundruar njeriun, posaçërisht të varfrin e të nëpërkëmburin në dritën e dashurisë së Hyjit.

Pra, Ganxhe Bojaxhiu - Shën Nënë Tereza, është dhuratë tejet e çmueshme për botën dhe dishepulle e vërtetë e dashurisë së Krishtit. Jeta dhe dëshmia e kësaj ikone të vërtetë të dashurisë së Zotit, së cilës pikërisht me 26 gusht i kremtohet përvjetori i lindjes, janë një ftesë për të gjithë Kishën dhe për mbarë njerëzimin, që t’i shërbejmë me besnikëri Zotit në njerëzit më të varfër ndër varfër, në njerëzit më nevojtarë e të jemi dëshmitarë e përques të qytetërimit te dashurisë.

E mënyra më e mirë për të kremtuar dhe për t'ia uruar përvjetorin e Lindjes së Nënës sonë shenjte e të dashur, Ganxhe Bojaxhiut, Shën Nënë Terezës, është një nxitje e re për të vazhduar ta ndjekim e imitojmë shembullin e saj, e të jemi kudo mjete të dashurisë e të paqes hyjnore.

E me rastin e 107 vjetorit të lindjes të Nënë Terezës, në të gjithë botën u zhvilluan kremtime e aktivitete të ndryshme për të kujtuar Nënën e Shenjtë  të të varfërve, Lapsin e Zotit. Në Kolkatë (Kalkuta e dikurshme) të Indisë, qindra njerëz shkuan për të lutur në shtëpinë e motrave të Bamirësisë, ata me një procesion me qirinj dhe një Meshë kujtuan murgeshën e vogël shqiptare dhe iu lutën Zotit përmes ndërmjetësimit të Shën Nënë Terezës.

“Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i i lutjes është feja. Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është paqja. Veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje. Gjërat e vërteta lindin nga heshtja!”  Janë këto vetëm disa nga thënien e Shën Nënë Terezës Bojaxhiu.

Nënë Tereza ndodhej në Indi si drejtoreshë e një shkolle të Kongregatës rregulltare të Motrave të Loretos, kur në Kalkutë zbuloi dramën e heshtur të të varfërve, të moshuarve, të grave e të fëmijëve, që të braktisur nga kjo botë, vdisnin në rrugët e indiferencës.

Nënë Tereza e dëgjoi zërin e Jezu Krishtit që i thoshte: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfrit, jeto me ta, ndër ta e si ata”. Bindet: shkon të jetojë në mes të barakave e plehrave dhe fillon të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrozët. Aty ku të tjerët shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit. Por si mund t’i përgjigjet thirrjes së Zotit, ku gjendet forca për të thënë “po”?

Nënë Tereza thotë: “Duke e lënë veten në dorë të Krishtit, por edhe nëpërmjet një dashurie të thellë e delikate për Jezusin, sidomos në Eukaristi, në Meshë e në Adhurim”. “Vëmendja ndaj të tjerëve – thotë misionarja – është fillimi i shenjtërisë”.

Nënë Tereza, pra, kujdeset për njeriun veç e veç, jo për turmën. Qëndron me të varfrit, por di t’u drejtohet edhe të pasurve, në të cilët shpesh sheh dëshpërimin: “të varfrit e Kalkutës – pohon ajo – nuk kanë asgjë, por besojnë akoma në diçka; ndërsa ata që kanë shumë pasuri, duket sikur nuk besojnë më në asgjë”.

Flet kundër çdo lloj dhune: nga lufta tek aborti. “Nëse nuk e doni fëmijën – u thotë nënave që duan të abortojnë – ma jepni mua: mos e vrisni! Sepse derisa të ekzistojnë nëna që shkatërrojnë jetën e fëmijëve që në kraharor, rruga e vrasjeve dhe e luftës mbetet gjithnjë e hapur”. Mesazhi i saj është i thjeshtë: dashuria e shpallur nga Jezusi në Ungjill. “Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se duhet ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na do ne".

Për këtë Ganxhe Bojaxhiu pati thënë: “Çdo gjë që e bëni për nevojtarët e keni bërë për mua. Nëse keni dhënë një gotë ujë në emrin tim, ma keni dhënë mua. Nëse keni mirëpritur një fëmijë në emrin tim, më keni pritur mua”. E kur të vdesim e të kthehemi tek shtëpia e Zotit, sërish do të dëgjojmë Jezusin që thotë: “Ejani ju të bekuar nga Ati im, sepse kur pata uri më dhatë të ha. Isha i zhveshur e më veshët, Nuk kisha shtëpi e më pritët në shtëpinë tuaj. Isha i sëmurë e në burg dhe erdhët të më shihni. Ejani dhe merrni në dorëzim Mbretërinë që është përgatitur për ju”.

Shën Nënë Tereza na tregon se ku e ka fillimin dashuria?! “Në familje. Si fillon? Duke u lutur së bashku. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë dhe paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri”. Sipas Nënë Terezës, “shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: ““Qofshi të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve””.

Edhe tai, 107 vjet pas lindjes, jeta dhe vepra që na la Nënë Tereza janë dëshmi dhe ikonë e dashurisë së Zotit ndaj njerëzimit e posaçërisht ndaj më varfërve e të mënjanuarve, shembull përkushtimi e shërbimi vëllazëror për të gjithë ne.

Prandaj, tani po e shikojmë Shën Nënë Terezën, me emocion të thellë në elter, të nderuar nga e gjithë bota si shenjte, duke kujtuar porosinë e saj: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ato do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin. Ja përse edhe këtu në Shqipëri, ne këmbëngulim shumë për të çuar lutjen, bashkimin dhe dashurinë në çdo familje. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”

Në përfundim të kujtimit të përvjetorit të lindjes, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Wojtila për Nënë Terezën, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor të vitit 2003:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”. Le të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi mjete të dashurisë hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.