2017-08-27 12:59:00

Papa në Engjëllin e Tënzot; në duart e Jezusit edhe guri më i vogël bëhet i çmuar


Uniteti, bashkimi në Krishtin dhe dashuria e Zotit, që e do çdo njeri, i madh a i vogël qoftë, ishin në qendër të vëmendjes së Papës gjatë lutjes mariane në Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku kujtoi Ungjillin e së dielës (Mt 16,13-20),  një fragment-kyç në udhën e Jezusit me dishepujt e vet. Gjatë tij Krishti verifikon fenë e tyre, e cila mbështetet në dhuratën e Atit e mandatin e Pjetrit për të qenë “gur, shkëmb”, mbi të cilin Krishti do të ndërtonte Kishën e Tij. Françesku pohoi se “edhe me ne, sot, Jezusi dëshiron të vijojë ta ndërtojë Kishën e Tij, këtë shtëpi me themele të forta, por ku nuk mungojnë as plasaritjet. Prej këndej, ka nevojë të vazhdueshme të meremetohet, si në kohët e Shën Françeskut të Asizit:

“Ne sigurisht nuk jemi shkëmbinj; jemi vetëm guraleca. Por e dimë se çdo gur, sado i vogël të jetë, e ka dobinë e vet. Madje, në dorën e Jezusit, bëhet gur i çmuar, sepse Ai e merr, e shikon me shumë dashuri, e skalit me Shpirtin e Tij dhe e vë në vendin e duhur, të cilin e ka menduar gjithnjë për të e ku mund të jetë më i dobishëm për mbarë ndërtesën”.

Papa nënvizoi, prandaj, se edhe ne, të gjithë, sado të vegjël të jemi, bëhemi “Gurë të gjallë” nga dashuria e Zotit. E kështu, si gurë të gjallë, e kemi përherë një vend në Kishë, që është bashkësi jete, e ndërtuar me shumë gurë, të gjithë të ndryshëm, por që formojnë një ngrehinë të vetme, nën shenjën e vëllazërisë e të bashkimit.

Duke kujtuar, së fundi, martirizimin e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, Papa u rikthye tek Ungjilli i sotëm, i cili na kujton se Jezusi deshi për Kishën e tij një qendër të dukshme bashkimi në Pjetrin e në pasardhësit e tij, Ipeshkvijtë e Romës, qytet ku Pjetri e Pali dhanë dëshminë e gjakut.

Prej këndej, Françesku ia besoi bashkimin Marisë, Mbretëreshë e Apostujve, Nënë e Kishës. Ajo ishte në çenakull, pranë Pjetrit, kur Shpirti Shenjt  zbriti mbi Apostujt  e i nxiti të dilnin e t’u kumtonin të gjithëve se Krishti është Zot – kujtoi - për t’ia besuar, në përfundim, edhe bashkimin Nënës sonë. Ajo -  u lut në përfundim Papa - na ndihmoftë e na shoqëroftë me ndërmjetësimin e saj, që të realizohet plotësisht uniteti dhe bashkimi, për të cilin Krishti e Apostujt dhanë edhe jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.