2017-08-27 09:30:00

Film për Nënë Terezën në RaiTre: "Zëri" i Brunello Rondit


Nënë Tereza në televizionin shtetëror italian, në një film me aktorin e njohur kosovar, Bekim Fehmiu. Më 5 shtator, në orën 10.00, televizioni italian RaiTre do të ritransmetojë filmin prekës “Zëri” (La Voce) me regjizor Brunello Rondin. Filmi është ndoshta i pari e gjithsesi, ndër të parët kushtuar shenjtes shqiptare Nënë Terezës. Në të trajtohet rinia dhe thirrja e misionares së bamirësisë e të dashurisë. U transmetua për herë të parë më 2 prill 1983, në RaiUno. Aktorja Liliana Tari luan Ganxhen e re; shkrimtarja e ardhshme Margaret Mazzantini, në rolin e së motrës, e pastaj, Bekim Fehmiu e Rossano Brazzi. Regjizori Brunello Rondi ka qenë njëri nga skenaristët e “La dolce vita”, “Otto e mezzo” e të filmave të tjerë të Federico Fellini-t, por edhe të regjizorit tjetër të njohur italian, Roberto Rossellini.

         Më 3 prill 1983, menjëherë pas transmetimit të filmit nga RaiUno, shkrimtari i njohur italian, Alberto Bevilacqua, shkruante kështu në gazetën “Corriere della Sera”: “…Na rezulton se edhe Papa (Gjon Pali II) e ka parë, ulur para televizorit, si çdo shikues. Regjia është e Brunello Rondit, i cili ka synuar të realizojë një lloj “thirrje me imazhe për një krishterim të ri”: shuplakë për shumë vetë, deklaroi ai, e puthje për pak”.

         Pasi përshkruan me penelata të shkurtra jetën e Nënë Terezës deri atëherë, Alberto Bevilacqua vijon me komentin e filmit. “E rëndë, pra, detyra e Rondit, i cili është edhe skenarist së bashku me Tullio Pinelli-n, në paraqitjen e këtyre fillimeve të thirrjes, në të cilat përqafohet rinia e një shpirti dhe arrihet deri kur protagonistja deklaron ndjetin e saj për të veshur velin e murgeshës. Xhiruar në vendet e vërteta, në Maqedoni, filmi u paraqit në Festivalin e fundit të Venedikut e, me shumë sukses, në Indi (Nënë Tereza nuk e ka parë, por, për çudi, i tha avokatit të vet t’ia tregojë).

         Disa rrëfime të Rondit japin çelësin për interpretimin e veprës – vijon shkrimtari Bevilacqua. – Ajo, që i intereson regjizorit është xhirimi, edhe pse me dyzime, i një “Zëri”, që nuk gumëzhit bezdisshëm përreth telekamerës, siç ka ndodhur me paraqitjen kinematografike të Zhanë D’Arkut… Tereza fëmijë nuk ka vizione; as nuk reshin mbi të thirrje nga ajri; nuk ka ndonjë telefon të privilegjuar për të folur me Atin Qiellor, por rritet, shpirtërisht, në mesin e tmerreve, të masakrimeve e të luftës.

         Filmi, që pamë dje, - nënvizon Bevilacqua, duke iu referuar 2 prillit 1983 – mund të përmblidhet në këtë frazë: ‘Krishti e gjen rrugën brenda saj me gjurmë gjaku të vërtetë’, që do të thotë, edhe poetikisht, se ajo bëhet “fjalë” e një Kishe të re, të përtërirë, me ëndrrën e një krishterimi epik, i cili e përforcon zanafillën e Kryqit, duke e zhytur në episodet e përgjakshme të së sotmes”.

         Poemë me imazhe, këngë e thurur përmes sekuencës së fotogrameve, e quan shkrimtari i famshëm italian filmin mbi Nënë Terezën, ku duket e gjithë prirja lirike e regjizorit dhe e skenaristit, që punoi me Fellini-n, ku shihet një frymëzim i besueshëm, larg anekdotave të famullive, gjithnjë në një lloj tensioni mistik.      Bevilacqua përmend disa skena. Për shembull, qëndrimin e Ganxhes në kuvendin e vjetër të murgeshave: “arsenal relikesh – e quan – sanatorium, simbol, për autorin, të një ‘krishterimi mumjesh, të katolicizmit të kardinajve siçilianë, spanjollë e fashistë’. Pohim tekstual ky, tepër i rëndë dhe i ndjerë”.

         Interesant, mendimi i komentuesit mbi interpretimin e aktorëve. “Liliana Tari – shkruan Bevilacqua – interpreton Nënë Terezën e re, duke u shprehur me përvujtëri, me një modesti gati absolute gjestuale, duke iu larguar kurthit të emfazës. Optimale, lëvizja e aktorëve rreth telekamerës, shpesh , e palëvizshme dhe e mahnitur, si një sy, që pasqyron shpirtin”. Së fundi, autori i shkrimit në gazetën “Corriere della Sera” lavdëron Margaret Mazzantinin, që luan motrën e Nënë Terezës, Agen, si edhe operatorin e dritave, Zhivko Zalar.

         Këtë film pra, mund ta ndiqni më 5 shtator, në orën 10.00, në televizionin italian RaiTre. Një pjesë të vogël mund ta ndiqni në Youtube:








All the contents on this site are copyrighted ©.