2017-08-25 12:19:00

Polonia kremton Zojën e Çestokovës, kurorëzuar nga Papa shqiptar, Klementi XI


26 gusht. Czestochowa. Dita kur kremtohet festa liturgjike e Zojës. Në 300 vjetorin  e kurorëzimit të figures së mrekullueshme (më 8 shtator 1717), në orën 11.00, pranë shenjtërores së Jasna Goras, do të kremtohet Mesha solemne, me pjesëmarrjen e  episkopatit polak dhe të autoriteteve civile.

Kujtojmë se figurja mrekullibërëse e Zojës, që ndodhet në Shenjtëroren e Jasna Goras, ka një histori të ndërlikuar. Sipas traditës, u pikturua nga Shën Luka mbi një copë druri, shkëputur nga tryeza, rreth së cilës mblidhej Familja Shenjte për t’u lutur e për të ngrënë.  Ungjilltari pati kompozuar, në Jeruzalem, dy piktura, për të realizuar mbi to, bukurinë e pakrahasueshme të Marisë. Njëra prej tyre arriti në Itali e sot është objekt kulti në Bolonjë, tjetra, pas një mori peripecish, arriti në Poloni, ku nderohet prej shekujsh. Më 8 shtator të vitit 1717 figurja e mrekullueshme u kurorëzua me kurorën papnore - pikërisht nga Papa shqiptar - Klementi XI. Si u vodh më 1909, gjatës shekujsh për Zojën e pikturuar nga shën Luka, u realizuan kurora të tjera, që u ndërruan me ceremoni të posaçme. Sivjet dioqeza e Krotones dhuroi një kopje të kurorës realizuar 300 vjet më parë, me porosinë e Klementit XI. Kjo kurorë, vepër e argjendarit Michele Affidato, u vu në figure, mbi kokën e Zojës, natën ndërmjet 27 e 28 korrikut, për të kujtuar, kështu, edhe vizitën e Papës Françesku në këto ditë, një vit më parë.

Ç’mrekulli do të ishte po të kurorëzohej edhe Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve, me kopjen e një kurore të tillë,  e cila do t’u kujtonte besimtarëve të panumërt, që ndjekin Shenjtëroren Kombëtare, Papën shqiptar Klementi XI. Kurora e një Biri të madh, për Nënën e kombit të vet të vogël!

Por, të rikthehemi në Poloni: për të kremtuar 300 vjetorin e kurorëzimit të Zojës së Çestokovës, më 8 shtator të vitit të kaluar u hap një jubile, që do të mbyllet më 8 shtatorin e ardhshëm, me një Meshë solemne, kryesuar, në orën 19.00, nga  kardinali Stanislau Rylko, kryeprift i Bazilikës së Shën Marisë së Madhe në Romë. Kremtimet e këtij jubileu do të përfundojnë më 31 dhjetor.

Këtë ngjarje të madhe ua kujtoi, të mërkurën e kaluar Papa Françesku shtegtarëve polakë, mbledhur rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit:

“Pas pak ditësh, të shtunën e të dielën e ardhshme, shumë nga ju, personalisht a shpirtërisht, do të mblidhen në atë, që njihet si ‘Kana polake’, Shenjtërorja juaj kombëtare e Jasna Góras, për të kremtuar Solemnitetin e Zojës së Çestokovës dhe treqindvjetorin e kurorëzimit të shtatores së Saj mrekullibërëse. Duke u paraqitur para fytyrës së Nënës e Mbretëreshës suaj, kujtojeni porosinë e saj: ‘Bëni gjithçka t’ju thotë Jezusi!’(krh Gjn 2,5). Qoftë Ajo, modeli juaj për të formuar ndërgjegjen, për të vënë në rregull jetën personale e familjare, për të ndërtuar ardhmërinë e shoqërisë e të Kombit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.