2017-08-24 17:00:00

Videomesazh i Papës për të burgosurit universitarë argjentinas


Pas telefonatave të së dielës në burgun federal të Ezeizës në Argjentinë, Papa Françesku u drejtohet studentëve të Qendrës Universitare të kompleksit me një videomesazh. Ati i Shenjtë i lavdëron për qendrën, të cilën e quan “hapësirë pune, kulture e përparimi”, si edhe shenjë humaniteti nga ana e të gjithë punonjësve të burgut dhe të Universitetit të Buenos Ajresit, i cili çon profesorët për t’u dhënë dije të burgosurve, që vendosin të kryejnë studime universitare.

         Papa përmend hapin e ri të Qendrës studentore: hapjen e kursit të muzikës, duke falenderuar emër për emër të gjithë ata, që e organizuan e, edhe të burgosurit që kujdesen për Qendrën, Marcelino, Guille dhe Edo, të cilët i njeh nga bisedat në telefon.

         “Është një puhizë jete ajo, që po fryn në burg, mes jush – u thotë Papa në videomesazh. – E jeta, ju e dini, është dhuratë, por dhuratë, që duhet fituar çdo ditë... Dhuratë, që nuk është e lehtë të ruhet. Duhet guxim, çdo ditë. Ka një sërë vështirësish – i kemi të gjithë – por duhet të kujdesemi për këtë dhuratë e ta bëjmë të rritet, të kujdesemi e ta bëjmë të lulëzojë”.

         Papa Françesku u kujton të burgosurve se janë aty për gabimet e tyre, por dënimi nuk është torturë, duhet të ketë një horizont shprese. Duke menduar për integrimin e tyre shoqëror, Ati i Shenjtë vë në dukje se për të pasur një të ardhme, është i nevojshëm formimi profesional e shoqëror që në burg. “Me këtë kurs muzike – u thotë të burgosurve, të cilëve u telefonon të dielave – po mendoni për integrimin shoqëror e që tani po integroheni përmes studimeve në Universitetin e Buenos Ajresit”. Është dënim me horizontin e shpresës, përfundon Papa, duke premtuar e kërkuar lutje e duke u dhënë takim të burgosurve në telefonatën e ardhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.