2017-08-24 11:45:00

Festime për Nënë Terezën në Kosovë


Bota shqiptare përgatitet të kremtojë periudhën nga 26 gushti deri më 5 shtator, tashmë, tradicionalisht kushtuar shën Nënë Terezës. Më 26 gusht të vitit 1910 misionarja e madhe shqiptare e dashurisë së krishterë lindi në Shkup, ndërsa më 5 shtator 1997 u kthye në Shtëpinë e Atit Qiellor, pas një jete kushtuar më të varfërve ndër të varfërit. Pikërisht sivjet bie 20-vjetori i vdekjes së saj.

Ipeshkvia e Kosovës njofton se të shtunën, më 26 gusht, në orën 19:00, në Katedralen e Kryeqytetit, do të përurohen “Ditët e Nënë Terezës”, të cilat do të vijojnë deri më 5 shtator. Ditë kjo, e shënuar për besimtarët katolikë kosovarë, pasi do të shugurohet kisha-shenjtërore e Nënë Terezës në Prishtinë. Meshën e rastit do ta kryesojë kardinali Ernest Simoni (Troshani), i dërguar i Papës Françesku.

Atë ditë, festa e katolikëve do të gjallërohet me programe kulturore. Ipeshkvia e Kosovës ka parashikuar një koncert me këngë klasike, gjatë të cilit do të recitohen edhe disa nga poezitë e lutjet e Nënë Terezës. Gjithashtu, do të hapet edhe një ekspozitë fotografike. Fjalën e përshëndetjes do ta mbajë ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, ndërsa vikari i ipeshkvisë, don Lush Gjergji, njohës e studiues i jetës dhe i veprës së shenjtes, do të mbajë një kumtesë për Nënë Terezën.

Në program, kënga “Nënës së  mirë” e Gjon Gjevelekajt, kënduar nga sopranoja Adelina Paloja e shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha. Po këto interpretuese do t’i paraqesin publikut edhe “Ebben! Ne andrò lontana”(E mirë pra! Po iki larg), marrë nga opera “La Wally” (Vali) e kompozitorit italian Alfredo Catalani, si edhe “Agimet shqiptare” të Avni Mulës. Poezinë “Lamtumirë” të Nënë Terezës do ta sjellë për publikun Jehona Gashi, ndërsa poezi të tjera të shenjtes do të recitohen nga Lumnie Sopi dhe Bislim Muçaj. Dita do të përfundojë me një koktej për të pranishmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.