2017-08-23 11:28:00

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Klementi XI: vdekja, varrosja, trashëgimi!


Në emisionin XX të rubrikës: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”,  vdekja, varrosja dhe trashëgimi që la pas Papa Klementi  XI.

Klementi XI vdiq më 19 mars 1721. Rrethanat e vdekjes së tij përshkruhen në një relacion, shtypur në Venedik në të njëjtin vit. Në të ndiqen hollësisht fazat e fundit të jetës tokësore të Papës shqiptar. Gjendja e tij shëndetësore nisi të keqësohej një ditë para se të mbyllte sytë. Menjëherë pasi kishte kremtuar Meshën, e kapën papritmas ca të dridhura të forta. Trupi iu bë akull, i pushtuar nga një e ftohtë e jashtëzakonshme, pas së cilës iu ngrit ndjeshëm temperatura, gjë që e detyroi të shtrihej në krevat.  Ethet i vijuan edhe pasdite, shoqëruar nga një kollë e fortë, me sekrecione gjaku. Pas një nate tejet të trazuar, me temperaturë shumë të lartë, por me mendje krejtësisht të kthjelltë, gjendja e tij shëndetësore vijoi të keqësohet: kolla, ethet, gjaku që i rridhte nga goja tregonin se po jetonte orët e fundme. Atëherë  mori vajimin. E ndonëse vijoi të keqësohej, nuk hoqi dorë nga  lutjet, sidomos nga Psalmet, që i kishte aq për zemër. Aty kah mesdita temperatura arriti kulmin, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Në dokumentin, që përshkruan vdekjen e tij, kujtohet se i mbylli sytë tre çerekë ore para mesdite, si kishte mbushur 71 vjeç, 7 muaj e 27 ditë, pas 20 vjet papnie. Menjëherë pasi mbylli sytë, këmbanat e Kampidolit ranë përmortshëm, duke i lajmëruar për vdekjen e Papës romakët, të cilëve ky lajm iu duk i pabesueshëm. Besuan vetëm kur panë dyert e burgjeve të hapura e të burgosurit të liruar, sipas traditës.

Kontrolli i trupit të pajetë, sipas traditës, vërtetoi se Papa kishte gëzuar shëndet të mirë, me përjashtim të mushkërive e, sidomos, mushkërisë së   majtë, ku një hemorragji e vazhdueshme, e pakontrolluar nga mjekët, i kishte shkaktuar gangrenën.

Papa pati shprehur gjithnjë dëshirën të varrosej thjeshtë e përvujtërisht. E kështu edhe u bë: trupi i tij pa jetë u varros nën dyshemenë  e Kapelës së Korit të Kanonikëve, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku vijon të pushojë në paqe, i mbuluar nga një rrasë e thjeshtë mermeri porfid. Kapitulli i Shën Pjetrit e kujton ende me solemnitet të veçantë, më 19 mars të çdo viti.

Shën Veronika Gjuliani pati treguar se Papa Klementi iu duk pas vdekjes. I tregoi se ishte në Purgator e se dëshironte të çlirohej. Shenjtja u lut për një kohë të gjatë, derisa, ndonjë vit më vonë, iu duk rishtas dhe e siguroi se tashmë ishte gati për të kaluar në Parajsë. Shën Veronika vdiq gjashtë vjet pas Klementit XI.

Kanonizime e lumnime

Klementi XI lartoi në lumninë e altarit katër shenjtorë, gjatë dy ceremonive të ndryshme; më pas, edhe tre shenjtorë të tjerë. Dha edhe lejën për kremtimin e Meshës për një Shërbëtor të Zotit:

Më 16 tetor 1690 shpalli shenjt Andrea Avellino-n (1521-1608), meshtar i Urdhërit të Klerikëve Rregulltarë Teatinë;

Më 22 maj 1712, Katerinën e Bolonjës (1413-1463) abateshë klarise; 

Felice da Catalice (1515-1587) rregulltar i urdhërit të Fretërve të vegjël Kapuçinë;

Piu V(1504-1572) domenikan, papë.  

Krijoi nëntë dioqeza dhe vikariate apostolike.

Në Evropë:

Më 1709, Papa ndau Vikariantin apostolik të Gjermanisë veriore në  dy pjesë. Në vikariatin gjerman e në atë Skandinav.

Në Lindjen e Mesme 

Krijoi Heparkinë e Baalbek (Kisha greko-melkite). Në vitin 1701 ipeshkvi Partenio u bashkua me fenë katolike; 

Arqiheparkinë e Mardin (Kisha armeno-katolike, në 1708);

Heparkinë e Halebit (Kisha armeno-katolike, më 1710);

Heparkinë e  Salmas (Kisha katolike kaldease, në Persi, 1709);

Në Amerikën jugore:

4 mars 1720, me  bulën Copiosus in misericordia krijoi Dioqezën e Belém do Parà (Në Brazil, territor i shkëputur nga dioqeza e São Luís do Maranhão)

Lartim në rang Patriarkati:

Më 7 nëntor 1761 kryedioqeza e Lisbonës u lartua në rang patriarkati me bulën  In Supremo Apostolatus Solio.Titulli patriarkal ishte vetëm nominal, nga që patriarku i Lisbonës nuk kishte më tepër të drejta, për t’u respektuar më shumë se metropolitët e tjerë

Në Dizhon, lartoi në rang katedraleje kishën e Shën Shtjefnit. 

Koncistore për krijimin e kardinajve të rinj

Klementi XI  krijoi 70 kardinaj gjatë 15 koncistoreve të ndryshme. Ndërmjet tyre, Papët e ardhshëm Inoçenci XIII dhe Klementi XII.

Para tij asnjë papë nuk kishte shuguruar një numër kaq të lartë kardinajsh

Emërime nga pjesëtarët e familjes së tij:

Klementi XI emëroi dy pjesëtarë të familjes në rangje të larta kishtare:

në vitin 1711 emëroi kardinal nipin e tij, Annibale Albani, i biri i të vëllait, Horacit (1652-1712).

Në vitin 1715  emëroi Fabio degli Abati Olivieri, i biri i Gian Andreas e i Giulia Albanit; kjo e fundit, halla e Papës.

Dekorata
Papa qe dekoruar me medaljen: “Mjeshtër i madh i Urdhërit më të lartë të Krishtit”.
Në emisionin e ardhshëm, i fundmi,  sintezë e jetës dhe veprës së Papës shqiptar, për të cilin folëm gjatë gjithë muajit gusht, botuar në librin “Bota shqiptare”1


1  Bota Shqiptare, Tiranë, 1943, fq.553-554








All the contents on this site are copyrighted ©.