2017-08-22 12:14:00

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Klementi XI: mecenatizmi dhe veprat e realizuara në Romë


Me emisionin XIX, rubrika jonë: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”, kushtuar kryesisht Papës Klementi XI, në përpjekjen për t’i dhënë përgjigje pyetjes, që është edhe titull i saj, po i afrohet fundit, njëherësh me jetën e Papës me gjak shqiptar. Në emision e sotëm,  mecenatizmi i Papës Klementi dhe veprat e realizuara në Romë.

Klementi XI i kushtoi vëmendje të posaçme mbrojtjes së objekteve arkeologjike, që nxirreshin nga nëntoka shumë e pasur e Romës, duke ndaluar  eksportimin e tyre e duke nisur gërmimet e para  sistematike në katakombe. Ndihmoi shumë edhe për rizbulimin e veprave të eruditit Bartolomeo Eustachi1. Miratoi, gjithashtu, projektin për modernizimin e Portit të Ripetës, skelë në brigjet e lumit Tiber, ku ndaleshin varkat që vinin nga Umbria e Sabina. Skela ishte në zonën para Kishës së Shën Jeronimit të kroatëve dhe zyrës së doganës. Projekti iu besua arkitektit Alessando Specchi, në bashkëpunim me Carlo Fontanën. Vepra, për ndërtimin e së cilës u përdorën edhe materiale ndërtimi të ardhura nga Koloseu, u përurua më 16 gusht 1704.  Me interesimin e Papës Klementi, u ndërtua edhe një viadukt, apo rrugë-urë në Civita Castellana dhe një ujësjellës në Civitavecchia.

Vëmendje të posaçme i kushtoi qytetit të tij të lindjes, Urbinos. Së pari shleu të gjitha borxhet e grumbulluara nga komuna. Më pas kreu një mori punimesh për zbukurimin e katedrales e sidomos, për restaurimin e pallatit dukal e të atij ipeshkvnor, themeloi një bibliotekë publike, ngriti një institut edukativ për rininë e i njohu privilegje të posaçme Universitetit. Nuk qe Papë nipotist, në kuptimin tradicional të kësaj fjale, edhe pse ndihma që i dha qytetit të lindjes dhe viseve fqinje, u konsiderua si një nga format e nipotizmit, ndonëse kolektiv.

Në vitin 1705 realizoi, me projektin e Carlo Fontanës, një hambar të madh, që vijon të njihet si Hambari i Klementit. Kreu edhe një sërë punimesh në disa monumente: projektoi portikun e brendshëm të Pallatit të Konservatorit në Kapitolin dhe rindërtoi fasadën e Kishës së Shën Silvestrit in Capite (Kisha e tij titullare), të cilën ia besoi Domenico de Rossi-t.

Më 1702 i shtoi portikun apo hajatin, fasadës së Bazilikës së Shën Marisë në Trastevere, projektuar nga Carlo Fontana. E po këtë arkitekt të famshëm e ngarkoi të rindërtonte edhe shatërvanin e kishës së shën Teodorit në Palatin (sot vend kulti ortodoks): kisha u skalit në një monedhë papnore, që u bë e famshme, sepse u botua në revistën e parë numizmatike“Thesaurus Numismatum hujus saeculi” shtypur në Nuremberg. Realizoi edhe shatërvanin pranë Kishës së Shën Pjetrit in Montorio (vepër e Fontanës) si dhe orën diellore të Shën Marisë së Engjëjve, që sot njihet me emrin “vija klementine”. Me porosi të tij, u rindërtua plotësisht Bazilika e Apostujve të Shenjtë, nën drejtimin  e Fontanës, përfunduar nën papninë e Benediktit XIII.

Në bazilikën e Shën Sebastianit jashtë mureve të Romës, ndërtoi “Kapelën Albani”(e para djathtas) sipas projektit të Carlo Fontanës. Rindërtoi plotësisht edhe Bazilikën e Shën Klementit në Lateran, Kishën e Shën Marisë in Monticelli, shatërvanin e famshëm nën hajatin e Kishës Shën Maria në Kosmedin, që njihet me emrin “Bocca della Verità (Goja e së Vërtetës) dhe  ngriti  Obeliskun e Panteonit (1711). Të gjitha këto vepra vijojnë ta pavdekësojnë emrin e Papës shqiptar në Romë e në botë, sepse vizitohen prej shekujsh nga miliona turistë prej të katër anëve të botës. Na la edhe portretin e tij, pikturuar nga piktori Carlo Maratta, që ruhet në Pinakotekën e Vatikanit. Carlo Fontana, firma e të cilit mbeti në pjesën më të madhe të veprave të ndërtuara a të rindërtuara nga Françesk Albani, punoi edhe varrin e Papës shqiptar. Në emisionin e ardhshëm, fundi i papnisë së Klementi XI.








All the contents on this site are copyrighted ©.