2017-08-22 16:28:00

Dialog ekumenik në Moskë: Patriku Kirill - Kardinali Parolin


 “Ma përshëndet vëllain tim, Kirill, Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusive!”. Me këtë, mesazh përshëndetjeje nga ana e Papës e nisi kardinali Parolin takimin e sotëm me Primatin ortodoks rus, Patrikun Kirill. “Ju sjell përshëndetjet e Papës Françesku, të cilin e takova të diel, para se të nisesha drejt Moskës - vijoi Prelati i lartë vatikanas. - Më porositi t’ju sjell këtë përshëndetje!  - Faleminderit - u përgjigj menjëherë Patriku, në gjuhën italiane, për të vijuar, pastaj, bisedën lidhur me problemet që shqetësojnë dy Kishat e krishtera. Në fjalën e tij, kardinali Parolin theksoi me forcë “ekumenizmin e shenjtorëve, që mund e duhet të luajë rol të dorës së parë në udhën e bashkimit të të krishterëve”. Shenjtorët na bashkojnë - kujtoi - sepse janë më pranë Zotit e na ndihmojnë të ecim më shpejt drejt përqafimit vëllazëror  e, sidomos, drejt bashkimit eukaristik”.

“Kisha katolike e ajo ortodokse mund të jenë faktor i rëndësishëm  për rrugëzgjidhjen e situatës në Ukrainë, nëse do të vijojnë të luajnë rol paqëtues”. Këtë theksoi Patriku Kirill, duke i drejtuar fjalën sekretarit të Shtetit të Vatikanit, gjatë shkëmbimit të batutave të para të bisedës, në takimin e sotëm. “Kur njerëzit janë në konflikt, Kisha nuk mund të luajë asnjë rol tjetër, përveç atij paqëtues - theksoi Kirilli - konfliktet nuk zgjasin përgjithmonë e heret o vonë përfundojnë. Nëse të gjitha forcat shoqërore përfshihen në konflikt, atëhere kush do t’i mbledhë gurët? Patriku deshi, kështu, të nënvizojë se lidhur me temën dhe rolin e Kishës në Ukrainë, ka mendime të afërta me ato të Vatikanit:

“Bashkëpunimi i Kishës ortodokse me atë katolike në asistencën humanitare të popullsive që vuajnë për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme, mund të jetë faktor i rëndësishëm bashkimi” - vijoi Patriku Kirill – duke shtuar edhe se bashkëpunimi në fushën humanitare, mund të krijojë bazën për përpjekje të përbashkëta në Lindjen e Mesme. 








All the contents on this site are copyrighted ©.