2017-08-22 13:54:00

Kardinali Parolin në Moskë: sot, takimi me Patrikun Kirill; konferencë shtypi me ministrin Lavrov


Takimi me metropolitin Hilarion të Volokolamskit, kryetar i Departamentit për Marrëdhëniet me jashtë të Patriakanës së Moskës, hapi vizitën e kardinalit Pietro Parolin në Rusi, e para për një Sekretar Shteti vatikanas, pas 18 vjetësh.

Prelati i lartë  theksoi se ndjehej thellësisht i nderuar dhe i emocionuar, që ndodhej në Rusi. Në sallën e përfaqësisë të manastirit Danilovskij, seli patriakarle, takimi u zhvillua në një atmosferë shumë konstruktive - shpjegoi vetë kardinali Parolin në bisedë me shtypin. - Nuk munguan as temat delikate – nënvizoi - por sidoqoftë, diskutimi u zhvillua  me dëshirën  për t’i kapërcyer vështirësitë. E tillë, për shembull, ishte tema e Ukrainës – sqaroi Kardinali - lidhur me çështjen e bashkësisë greko-katolike, por në bashkim me Romën, që për Kishën ruse të ritit ortodoks mbetet një pengesë serioze për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Kishën katolike.

Kisha ortodokse ruse, nga ana e saj, nënvizon se edhe duke diskutuar për problemet e Lindjes së Mesme, u vërejtën qëndrime shumë të afërme të Kishës ortodokse me Selinë e Shenjtë, në përpjekjen për të gjetur rruzgjidhje paqësore, posaçërisht për Sirinë. Sipas agjencisë Tass, u pohua se Siria nuk mund të rikthehet në jetën normale, pa dëbimin e plotë të milicëve të Isis-it nga trojet e pushtuara dhe u vu përsëri theksi mbi situatën e vështirë humanitare.

Në sfondin e bisedimeve me metropolitin Hilarion, ishte takimi historik i Papës Françesku me Patrikun Kirill, një vit më parë, në Havanë. Metropoliti shprehu mirënjohjen për përpjekjet e përbashkëta në përgatitjen e këtij çasti. Nxitja, që i dha ky takim marrëdhënieve ndërmjet dy palëve - theksoi - uroj të ketë edhe zhvillime të mëtejshme, Ndërkaq nuk u cek fare mundësia e një takimi të dytë, në Moskë, ose në një vend të tretë: “T’i lëmë kohë kohës, që situatat të fitojnë pjekurinë pa shumë nxitim”, shpjegoi kardinali Parolin. “Kohët e Zotit - përfundoi - janë gjithnjë të përkryera” – siç thonë në Amerikën Latine.

Dje pasdite sekretari i Shtetit vatikanas u takua me ipeshkvijtë katolikë rusë, ndërsa në mbrëmje kryesoi Meshën në katedralen e Zojës së Papërlyer, në Moskë, në praninë e përfaqësive diplomatike të vendeve të ndryshme, ndërmjet të cilëve, përfaqësues të Italisë, Polonisë, Gjermanisë e Zvicrës, së bashku me përfaqësues të konfesioneve të tjera të krishtera:

“Sjell me vete përshëndetjen e Papës Françesku, që e ka në zemër bashkësinë katolike dhe mbarë shoqërinë ruse, me të cilën ndjehet i lidhur në mënyrë të posaçme, pas takimit me Patrikun Kirill” - pohoi kardinali Parolin, duke përshëndetur turmën.

“Është gëzim për mua t’ju pres këtu” – u përgjigj, në hapje të liturgjisë, kryeipeshkvi i Kryedioqezës të Nënës së Zotit në Moskë, imzot Paolo Pezzi, duke shtuar: “Prania juaj është si të ishte prania e Papës. I jemi mirënjohës Zotit që na e bëri këtë dhuratë, sepse kështu e konsiderojmë vizitën tuaj, shenjë e Zotit, për të përforcuar fenë tonë, shpresën e dashurinë”.

Vizita, që vijon, sot pasdite arriti një nga pikat kulmore të programit, atë të takimit me Patrikun Kirill, në selinë e tij verore të Peredelkino, në rrethinat e Moskës, paraprirë, gjithnjë sot paradite, nga bisedimet me Ministrin e jashtëm, Sergey Lavrov. Kardinali Parolin e quajti rast të përshtatshëm për të verifikuar, për të rishikuar dhe për të konsoliduar marrëdhëniet dypalëshe, këtë takim, gjatë të cilit u fol edhe për disa vështirësi, si lejet e qëndrimit për personelin fetar jo rus dhe rikthimin e disa kishave, që janë shumë të nevojshme për kujdesin baritor të katolikëve në vend. Sekretari i Shtetit të Vatikanit uroi të gjinden rrugëzgjidhje të drejta e të qëndrueshme për konfliktet, që trondisin në mënyrë të veçantë Lindjen e Mesme dhe Ukrainën. Në vijim, kujtoi detyrën për respektimin e parimeve të së drejtës, ndërmjet të cilave, respekti i domosdoshëm si për mbrojtjen e paqes botërore, ashtu edhe për rikrijimin e atmosferës së respektit reciprok në marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjatë takimit u vu theksi edhe mbi shqetësimin e përbashkët për gjendjen e të krishterëve në disa vise të Lindjes së Mesme dhe të Kontinentit afrikan, ashtu si dhe në vende të tjera të botës. Në këtë drejtim Selia e Shenjtë shqetësohet vazhdimisht - pohoi kardinali Parolin - sepse kërkon që liria fetare të mbrohet në të gjitha shtetet e në të gjitha situatat politike.

Duke kujtuar situatën në Venezuelë, u nënvizua se në vendin latinoamerikan duhet arritur një marrëveshje politike ndërmjet palëve kundështare në vend dhe u konfirmua mundësia që Moska të ndërhyjë, si vend mik, njëherësh me gjithë bashkësinë ndërkombëtare, për ta arritur këtë marrëveshje. Përsa i përket marrëdhënieve me Kishën ortodokse, kardinali Parolin rikujtoi takimin e Havanës por edhe vizitën e relikeve të Shën Kollit në trojet ruse, me ndikim shumë pozitiv, duke theksuar dëshirën për të ecur më tej në këtë rrugë e duke ia besuar Shpirtit të Zotit, që t’u tregojë besimtarëve cilat janë hapat më të mirë për t’u bërë në të ardhmen”.

Nesër pritet takimi me Presidentin Vladimir Putin, në Sochi.








All the contents on this site are copyrighted ©.