2017-08-21 13:19:00

Papa në Mitingun e Riminit: ta shohim Zotin në jetën tonë


“Atë që trashëgon nga etërit, rifitoje, për ta zotëruar”. Fraza e Gëtes, marrë nga vepra e tij e njohur “Fausti”, është tema e këtij viti për Mitingun e miqësisë së popujve në Rimini të Italisë, në edicionin e tij të 37-të. Temë, që na fton të reflektojmë mbi aspektet e jetës së përditshme, shkruan Papa Françesku në një mesazh me firmën e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin.

Trashëgimia e etërve nuk është peshë e rëndë

         Një nga kufizimet e shoqërisë së sotme, nënvizohet në tekst, është kujtesa e pakët dhe lënia pas dore e trashëgimisë të së kaluarës. Kjo sjell pasoja për brezat e rinj, që nuk mund të ecin përpara, pa e njohur historinë e pa mbajtur qëndrim ndaj saj. E kjo, paralajmëron Papa Françesku, mund t’u ndodhë edhe të krishterëve, të cilët nuk duhet të harrojnë gjurmët e Zotit në histori.

Kujdes nga “alzheimeri shpirtëror”

         Kur njeriu e harron historinë e marrëdhënieve të tij personale me Hyjin, sëmuret nga i ashtuquajturi “alzheimer shpirtëror” e kështu, na kaplon frika, duke na bërë të biem pre e atyre, që premtojnë amshime të rreme. Për t’i shpëtuar këtij rreziku, duhet aktualizuar gjithnjë Dashuria e parë me Zotin, që nuk është ndonjë ndjenjë abstrakte, por një Vetje, Krishti, i cili mbërrin tek ne përmes jetës së Kishës e përmes dëshmisë së çdo brezi. Mos e shihni botën nga ballkoni, bën thirrje Ati i Shenjtë, por jetojeni si rast për kumtimin e gëzueshëm të Ungjillit, duke rifituar për vete gjithçka të vërtetë, të bukur e të mirë, që na kanë lënë etërit tanë. Së fundi, Papa Françesku u kërkon organizatorëve dhe vullnetarëve të Lëvizjes “Bashkim e Çlirim”, që çdo vit reflekton në Rimini për problemet e kohës, të jenë dëshmitarë të besueshëm të shpresës, që nuk zhgënjen, sidomos me jetën e tyre. Mitingu vijon gjatë gjithë kësaj jave.








All the contents on this site are copyrighted ©.