2017-08-21 17:36:00

Kardinali Parolin: takimet në Rusi favorizojnë udhën drejt paqes.


“Po shkoj për vizitë në Rusi, me qëllim që të flas, përveçse për tematikat me karakter dypalësh e ato, që kanë të bëjnë me jetën e Kishës katolike, edhe për çështjet e lidhura me konfliktet, që trondisin shumë zona të botës. E kjo, që të bëhet çdo përpjekje e mundshme për të rivendosur drejtësinë e paqen, duke respektuar  dinjitetin dhe paprekshmërinë e çdo njeriu”. Kështu sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e komentoi, në një intervistë dhënë agjencisë shtetërore ruse Ria Novosti, arsyen e vizitës së tij të rëndësishme në këtë vend, ku do të qëndrojë deri të enjten e ardhshme.

Sot, sipas programit, kardinali Parolin bisedoi me Metropolitin Hilarion të Volokolamsk, kryetar i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të Patriarkanës së Moskës, mori pjesë në një takim me ipeshkvijtë katolikë të vendit, e, më pas, bashkëkremtoi me ta Meshën, në Katedralen e Zojës së Papërlyer, në Moskë.

Ndër takimet më të rëndësishme, që e presin kardinalin Parolin ditët e ardhshme, kujtojmë atë me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov. Ndërmjet temave të parashikuara për bisedimet, vëmendja kryesore do t’i kushtohet  Lindjes së Mesme dhe situatës dramatike në Siri e në Irak, por edhe luftës në Ukrainë dhe problemeve të pazgjidhura në Kaukazin jugor:

“Janë një mori problemesh ndërkombëtare, që na shqetësojnë - shpjegoi Hirësia e Tij në intervistën dhënë agjencisë Novosti - e mendoj se disave prej tyre do të mund t’u kushtoj një vëmendje të posaçme gjatë vizitës. Kujtoj, sidomos, situatat në të cilat Rusia është më aktive. Lista, në të vërtetë, do të ishte shumë e gjatë e nuk do të jetë objekt ballafaqimi vetëm në këtë rast, sepse kontaktet diplomatike janë të vazhdueshme. Por drama, që po jetojnë popullsitë, sidomos në disa nga situatat e përmendura më sipër, kërkon vëmendje të pareshtur në çdo nivel”.

Lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare, sekretari i Shetit vatikanas nënvizoi se mesazhi i Selisë së Shenjtë është përherë i njëjtë: “të vërë  gjithnjë mbi interesat e shteteve të veçanta, respektin reciprok e dialogun e sinqertë. Edhe atëherë kur një gjë e tillë mund të jetë pak popullore para syve të shtresave të gjera të popullsisë, për një mori arsyesh”. Nesër, kardinali do të takohet me Patrikun Kirill të Moskës.

Pas takimit historik të Papës Françesku me Patrikun Kirill, në Kubë, nuk ka dyshim se marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse po kalojnë një periudhë pozitive - nënvizoi kardinali Parolin - Po kjo pikarritje bëhet, ndërkaq, pikënisje e një udhe të re, asaj të dialogut edhe më të thellë, me qëllim që ta kuptojmë gjithnjë më mirë njëri-tjetrin, duke kapërcyer mosmarrëveshjet dhe ndryshimet, që mund të kemi akoma ndërmjet nesh.

E, së fundi, Hirësia e Tij, i pyetur mbi mundësinë e shtegtimit të Papës në Rusi, shpjegoi se tema e një vizite të tillë “nuk bën pjesë në agjendën e bisedimeve”, por shpresohet se çdo takim, posaçërisht me Patrikun Kirill, “mund të kontribuojë për t’ia shtruar rrugën zhvillimit të takimeve  gjithnjë më pozitive e më vullnetmira”.








All the contents on this site are copyrighted ©.