2017-08-17 00:00:00

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Klementi XI, vendime në fushën liturgjike e fusha të tjera


Në emisionin XV të rubrikës: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë”… do t’ju njohim me shërbesën papnore të Klementit XI në fushën liturgjike e në fusha të tjera.   

Gjatë papnisë së Klementit XI u thelluan mosmarrëveshjet ndërmjet Domenikanëve dhe Jezuitëve lidhur me ritet kineze e malabarike. Me vendimin e 20 nëntorit 1704, Papa e dënoi përdorimin e të dy riteve, duke i dhënë të drejtë domenikanëve. Posaçërisht u dha urdhër misionarëve ta respektonin në tërësi dekretin e Inkuizicionit shenjt për Indinë e Kinën. Që ky dekret të zbatohej besnikërisht, dërgoi enkas në Indi e në Kinë një legat, kardinalin torinez Carlo Tommaso de Tournon. Më 7 janar 1706 Papa e ripohoi këtë vendim me bulën Gaudium in domino. Megjithatë, misioni i legatit nuk pati rezultatet e shpresuara. Divergjencat ndërmjet misionarëve vijuan. Jezuitët e Pekinit, krejtësisht të pakënaqur nga ky vendim, nuk pranuan ta zbatojnë e, si pasojë, u vetëpezulluan nga sakramentet, duke nënvizuar se ishte e pamundur të vijohej misioni në Kinë, me këto moslejime.

Në mars të vitit 1715, Klementi XI shpalli atë, që besonte se do të ishte fjala e fundit mbi këtë çështje: Kushtetutën Apostolike  “Ex Illa Die”, e cila ripohonte të gjitha ndalesat e dekretit të vitit 1704 dhe kërkonte betimin për besnikëri nga ana e misionarëve. Nisi, në Lindjen e Largët, një legat të ri, Carlo Ambrogio Mezzabarba, për ta botuar Bulën me të gjithë autoritetin e Selisë së Shenjtë.

Kardinali Mezzabarba arriti në Pekin nga fundi i vitit 1720. Veproi me aq diplomaci, sa gati ia doli mbanë përfundimit pozitiv, me audiencën e famshme të janarit 1721, në të cilën u duk sikur perandori do t’i pranonte të gjitha kërkesat e Selisë së Shenjtë. Por në çastin e fundit situata u përmbys e legati u kthye në Evropë, pa rezultatin e dëshiruar.

Jubiletë e jashtëzakonshëm të Klementit XI 

Klementi XI shpalli tre jubile, me këto  motivime:

Për përurimin e Papnisë (Krishtlindje 1701)

Për paqen ndërmjet princave të krishterë (2 dhjetor 1706);

Për të kërkuar ndihmën e Zotit në ndeshjen e ushtrive veneciane kundër turkut (31 maj 1715):

Me bulën Comissi nobis (6 dhjetor 1708), Klementi XI e bëri universale festën e Zojës së Papërlyer, që kremtohej edhe më parë, kryesisht vetëm në Romë e në disa zona të tjera të krishterimit.

Me dekretin e 4 shkurtit 1714, u vendos që festa e Shën Jozefit të kremtohej me Meshë e ofice të veçantë.

Më 3 shkurt 1720 e shpalli Shën Anselmin e Aostës, Doktor i Kishës.

Marrëdhëniet me monarkët jashtevropianë

Me që më lart folëm kryesisht për marrëdhëniet e Klementit me monarkët evropianë, po kujtojmë edhe marrëdhëniet me ata jashtevropianë, posaçërisht, me perandorinë turke, që aso kohe vijonte luftërat pushtuese. Në vitin 1714 Turqia i shpalli Republikës së Venedikut luftën, që mbeti në histori me emrin “Lufta II e Moresë”. Klementi XI bëri të gjitha përpjekjet e mundshme për të formuar një koalicion me shtetet e krishtera. Kërkoi ndihmë nga perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake, por pa asnjë rezultat. Ndeshjet e para qenë të gjitha në favor të turqve. Atëherë Perandoria u detyrua të ndërhyjë, duke e lehtësuar sadopak disfatën veneciane. Prijës i armatës perandorake ishte Eugjeni i Savojës.  Republika humbi përgjithmonë vetëm Peleponezin, ndërsa i mbetën përsëri zotërimet e Dalmacisë (troje pranë Austrisë). Kjo ishte lufta e fundit ndërmjet venecianëve e otomanëve. Papa lidhi marrëdhënie edhe me dy mbretër jashtevropianë: me shahun e Persisë dhe me Negus, apo mbretin etiopik. Me të dy pati edhe letërkëmbim.








All the contents on this site are copyrighted ©.