2017-08-16 00:00:00

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…Klementi XI, fundi i zhansenistëve.


Në emisionin XIV të rubrikës: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë”… do të flasim për qëndrimin e patundur të Papës Klementi XI në mbrojtje të Doktrinës dhe fundin e zhansenistëve. 

Polemika rifilloi ashpërsisht më 13 korrik 1708 me brevën Universi dominici gregis, që dënonte veprën Le nouveau Testament en français avec des Réflexions morales sur chaque verset (Testamenti i Ri me reflektime morale për çdo verset) shtypur nga Pasquier Quesnel, kreu i zhansenistëve pas Antoine Arnauld, me ndikime të ndjeshme zhanseniste. Me këtë cenzurim Papa Klementi XI i ndihmoi mjediset zelltare të klerit francez e, sidomos, plotësoi dëshirat e Fenelonit, që i kishte rilidhur fijet e këputura me Selinë Shenjte. Në Francë breva u kundërshtua haptazi si nga mjediset parlamentare, ashtu edhe nga ato kishtare. Posaçërisht Luigji XIV pati shumë frikë nga rreziku i një çarjeje të pandreqshme në gjirin e klerit francez dhe i bëri përsëri thirrje Papës, duke e siguruar se gjykimi përfundimtar i Romës do të imponohej lehtësisht nga ana e autoriteteve mbretërore.

Edhe në këtë rast Papa Klementi XI ngurroi, ngaqë në këtë qëndrim, shikonte rrezikun e politizimit të padëshirueshëm të grindjes kryesisht  fetare, duke i kërkuar monarkisë mbrojtjen dhe zbatimin e vendimeve papnore në universin e trazuar galikan. Me kalimin e kohës, si përmes veprimtarisë së shkathët të kardinalit francez Joseph-Emmanuel de La Trémoille1, ashtu si dhe të qëndrimeve gjithnjë më ngacmuese të kryeipeshkvit të Parisit, u arrit të mblidhej një komision teologësh, në të cilin vendin kryesor, ndërmjet shkollave të ndryshme teologjike, e kishin domenikani Tommaso Maria Ferrari, jezuiti Alfaro dhe i gjithëpranishmi Fabroni.

Në fazën e ndërlikuar përgatitore, Papa, ndonëse i sulmuar nga një mori presionesh, mbajti qëndrim të patundur ndaj Quesnelit, që kishte dërguar dy letra justifikimi (22 korrik dhe 22 shtator) dhe u përpoq që, në maj të vitit 1712, të dërgonte si nunc pranë Luigjit XIV, Marco Cornelio Bentivoglio d’Aragona, mbrojtës i patundur i tezave romake e, njëkohësisht, edhe i mirëpritur në Versailles, si i ngarkuar me detyrën për të përgatitur terrenin e mirëpritjes së bulës. Vlerësimet e cekta të këtij të fundit mbi qëndrueshmërinë e forcës së kundërshtarëve, triumfalizmi i zakonshëm i Luigjit XIV, tashmë plak, dhe mungesa e çdo elementi ndërmjetësues në Kurie, pas dërgimit të Casonit në Ferrarë e në Bolonjë, i favorizuan, gjatë vitit 1713, ata që e shtynin Papën për t’i dhënë fund çdo ngurrimi e për të arritur me urgjencë në një vendim përfundimtar. Pas njëzet e tre takimeve (9 shkurt-25 gusht 1713) të Kongregatës së Zyrës Shenjte, në praninë e përhershme të Klementit (tashmë plotësisht i bindur nga fanatizmi antizhansenist i Fabronit, drejtues i vërtetë i punimeve), Réflexions morales u dënuan solemnisht me bulën Unigenitus Dei Filius, botuar më 8 shtator 1713.

Në të ngulmohej sidomos karakteri i rremë i veprës dhe rreziqet që buronin nga leximi i saj. Klementi XI u çudit kur vërejti se në Francë qenë vënë në lëvizje të njëjtat mekanizma antikuriale të vitit 1705, në kundërshtim me sigurimet e mbretit, që i kishte marrë era e fortë e ngjarjeve të reja. Kështu zhansenistët jo vetëm që nuk e pritën mirë bulën, por iu vërsulën më me forcë se asnjë herë tjetër. Noailles votoi, njëherësh me tetë ipeshkvij të tjerë, kundër nënshtrimit ndaj Papës duke kërkuar shpjegime. Kontraste të reja lindën edhe në parlamentin e Parisit (15 shkurt) si dhe në Sorbonë (10 mars) e, ndonëse bula u botua në njëqind e dymbëdhjetë dioqeza,  nga njëqind e njëzet e gjashtë, që ishin,  falë edhe mbështetjes së Luigjit XIV, opozita mbeti tejet e guximshme.

Papa, pagabueshmëria e të cilit vihej haptazi në diskutim nga patrullat luftarake të zhansenistëve, nuk pranoi të vijonte diskutimin doktrinor e reagoi me një seri të thjeshtë brevash kërcënuese, që kërkonin rivendosjen e rendit dhe të respektit ndaj Selisë së Shenjtë, e vetmja depozituese e të vërtetave dogmatike. Në këtë periudhë, përballë dështimit të strategjisë së rreptësisë, Papa Klementi mori masa konkrekte kundër zhansenistëve. Së pari, e ndaloi  veprën e Quesnelit, më pas, e dënoi autorin si heretik.

Dënimi i zhansenizmit e ndau më dysh kishën franceze: njëra palë, e quajtur “pranuesit” e pranonin urdhërin papnor, pala tjetër, “apeluesit”,  duke iu kundërvënë bulës papnore, bënin thirrje për organizimin e një koncili universal. Posaçërisht katër ipeshkvij (titullarët e selive të Senez, Montpellier, Boulogne e Mireppoix) i drejtuan Papës thirrjen për një koncil  të përgjithshëm: u shkishëruan të gjithë (Pastoralis officii, 28 gusht 1718). Atëherë iu drejtuan pushtetit civil. U desh ndërhyrja e qeverisë së Parisit për t’i kthyer të gjithë apeluesit në hullinë e Kishës së Romës. E kjo u bë e mundur vetëm përmes shndërrimit të bulës papnore në ligj shteti. Më 4 dhjetor 1720 bula Unigenitus Dei Filius u regjistrua nga parlamenti francez. Së fundi u vendos të mbyllej manastri i lashtë cistercens i Port-Royal des Champs, i lidhur me zhansenizmin. Urdhëri u zbatua më 1708. Një vit më pas rregulltarët, që vijonin të qëndronin aty, u dëbuan  me forcë (29 gusht 1709). Kjo shënonte fundin e zhansenizmit!

1 Joseph-Emmanuel de La Trémoille (Thouars, 7 korrik 1659 – Romë, 10 janar 1720) ishte kardinal dhe kryeipeshkëv katolik francese.








All the contents on this site are copyrighted ©.