2017-08-16 11:52:00

Papa: kërkoj falje për priftërinjtë pedofilë, shëmti absolute


Pedofilia, “shëmti absolute, mëkat i tmerrshëm, që bie ndesh me gjithçka mëson Kisha”. Papa Françesku e ngre edhe një herë zërin kundër priftërinjve pedofilë. Qëndrimi i tij, kësaj radhe, është pjesë e hyrjes së librit të një 58-vjeçari zviceran, viktimë abuzimesh nga ana një frati, kur ishte në moshën nga 9 deri në 13 vjeç. Quhet Daniel Pittet e hyrja e librit të tij, me titull “Po të fal o atë”, publikohet sot e plotë nga gazeta gjermane “Bild”, me rastin e përkthimit të librit në gjuhën gjermane. Në italisht libri është botuar nga Piemme në shkurt të këtij viti, ashtu si ai në frëngjisht.

Në hyrjen e vëllimit, Papa Françesku kërkon falje dhe kujton ato viktima të shpërdorimeve nga ana e disa anëtarëve të klerit, që patën vendosur t’i japin fund jetës. “Disa viktima – shkruan me dhimbje Ati i Shenjtë – shkuan deri në vetëvrasje. Këto vdekje rëndojnë mbi zemrën dhe mbi ndërgjegjen time e të të gjithë Kishës. Familjeve të tyre dua t’iu shpreh dashurinë, dhimbjen e t’iu kërkoj falje me përvujtëri”.

“Si mundet një prift, në shërbim të Krishtit e të Kishës së Tij, të shkaktojë kaq shumë të këqia? Si mund ta shugurojë jetën e vet për t’i çuar fëmijët drejt Zotit e të përfundojë duke i sakrifikuar në atë, që e kam quajtur ‘flijim djallëzor’, i cili shkatërron si viktimën, ashtu edhe jetën e Kishës?”, pyet Papa, duke theksuar se nuk ka shëmti më të madhe se kjo.








All the contents on this site are copyrighted ©.