‘Të Ngjiturit të Zojës në Qiell’ na kujton se dashuria, në dukje ligështi e Hyjit, fiton mbi pushtetin e egoizmit absolut, të terrorit e të dhunës. E gjithë historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë së Zotit deri në dhurimin e plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen e Zotit, deri në urrejtjen për të tjerët” - shkruan Shën Agostini. E festa e sotme na fton të kemi besim, sepse dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës.
Duke shfletuar Ungjillin, ndalemi tek fragmenti i Zbulesës së Shën Gjonit (11.19a;
12,1-6a. 10ab), në të cilin spikasin dy figura: ajo e gruas së veshur me diell, simbol
i dashurisë së Hyjit e ajo e dragoit të kuq vigan, simbol i dashurisë për vetveten.
Me figurën e kuçedrës Shën Gjoni simbolizoi pushtetin e perandorëve romakë antikristianë,
që nga Neroni te Domiciani: pushtet që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik,
politik, propagandistik.
Përballë këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie
për të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti
të tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë
se fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit
e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë.
Dragoi pra, simbolizon pushtetin e egoizmit absolut, të terrorit, të dhunës. Përfaqëson diktaturat antikristiane të të gjitha kohërave, si nazizmi e stalinizmi, në shekullin e kaluar. Dukej e pamundur që feja të mbijetonte: por edhe këtu, në fund të fundit, dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen. Por dragoi nuk është mposhtur ende plotësisht: vijon të ekzistojë në forma të reja.
Ekziston në format e ideologjive materialiste, që na thonë se është absurde të
mendosh për Hyjin, është absurditet t’u bindesh dhjetë urdhërimeve të TënZot; na thonë
se është diçka e vjetruar, që i përket një kohe të shkuar e se ajo që vlen, është
ta jetosh jetën për vete, se vlen vetëm konsumi, egoizmi, dëfrimi… E përsëri të duket
absurde, e pamundur t’i kundërvihesh një mendësie të tillë, që sundon me gjithë forcën
e saj mediatike, propagandistike.
Duket e pamundur sot të mendosh për një Hyj që krijoi njeriun e që u bë fëmijë e se
ky fëmijë do të ishte sundimtari i vërtetë. Edhe sot dragoi duket i pathyeshëm, por
edhe sot Hyji është më i fortë se dragoi e është dashuria ajo që fiton, jo egoizimi.
Fiton Gruaja e veshur me diell, sepse jeton në dritën e Hyjit, e ka hënën nën këmbë, sepse e ka lënë pas vetes vdekjen. E na thotë “Guxim! Në fund fiton dashuria! Guxoni të jetoni kështu, pa u frikësuar nga kërcënimet e dragoit.
Gruaja nxjerr në dritë foshnjën me dhimbje: simbol i Kishës shtegtare në të gjitha kohërat: në të gjitha breznitë duhet ta lindë përsëri Krishtin, ta sjellë në botë Krishtin me dhimbje të madhe në gjirin e këtij njerëzimi që vuan. Është Kishë e përndjekur nga dragoi në të gjitha kohërat, por në të gjitha kohërat jeton në dritën e Hyjit. E kështu në të gjitha mundimet Kisha, duke vuajtur, fiton e është garanci e pranisë së dashurisë së Hyjit kundër të gjitha ideologjive të urrejtjes e të egoizmit. E dragoi edhe sot dëshiron ta përpijë Hyjin e bërë foshnje: ‘mos mendoni për këtë Hyj, i ka kaluar koha!’ – na thonë – por edhe sot ky Hyj i ligësht, është i fortë, është forca e vërtetë. E kështu festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë.
Është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu
siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit. Të ecim në
rrugën e saj. Të japim jetë e jo të marrim jetë. E pikërisht kështu jemi në rrugën
e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten e që, megjithatë, është e vetmja
rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë vetveten, për të gjetur jetën
e vërtetë.
Atëherë mund të themi me plot gojën se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është
festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje e ligësht, është forca e vërtetë e botës.
Dashuria është më e fortë se urrejtja!
Festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ bazohet në Shkrimin Shenjt - Biblën, që na e paraqet Virgjërën të bashkuar fort me Jezusin në luftën kundër armikut djallëzor, deri në fitoren e plotë mbi të. Është fitore që gjen shprehjen e vet kryesisht në kapërcimin e mëkatit e të vdekjes. E prandaj Maria, solidare me Jezusin edhe në ngjallje, u ruajt nga kalbja në varr, për t’u ngjitur me shpirt e korp në lumturinë e Qiellit - siç pohoi Piu XII, duke shpallur, më 1 nëntor 1950, Dogmën e të ngjiturit të Zojës në Qiell, në Kushtetutën apostolike “Munificentissimus Deus”. Duke u ngjitur në Qiell Maria nuk u largua nga ne, e kemi edhe më pranë e drita e saj ndriçon jetën tonë e historinë e mbarë njerëzimit.
Të tërhequr nga shkëlqimi qiellor i Nënës së Shëlbuesit, t’i drejtohemi me besim asaj, që nga lart na sheh e na mbron. Të gjithë kemi nevojë për ndihmën e saj e për ngushëllimin e saj, për të përballuar provat e sfidat e përditshme: kemi nevojë ta ndjejmë pranë si nënë e si motër në çdo çast të jetës sonë. E që të mund të kemi një ditë edhe ne përgjithmonë të njëjtin fat, t’i ngjasim tani, duke ecur në rrugën e Krishtit e të shërbimit bujar ndaj vëllezërve. Kjo është e vetmja mënyrë për ta parashijuar, në sa jemi akoma në shtegtimin tonë tokësor, gëzimin e paqen që e jeton plotësisht kush arrin në cakun e pamort të Parajsë”. (Nga mësimet e Benediktit XVI)
All the contents on this site are copyrighted ©. |