2017-08-14 14:50:00

Estoni: në Talin, kremtime zyrtare për Ditën evropiane të viktimave të komunizmit e nazizmit


Do të mbahen në Talin, më 23 gusht, kremtimet zyrtare për Ditën evropiane të kujtimit të viktimave të regjimeve naziste dhe komuniste, në të cilat do të marrin pjesë ministrat evropianë të drejtësisë, përfaqësues të shoqatave të viktimave të totalitarizmit si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave shtetërore e private, që merren me studimin e krimeve të regjimeve totalitare  dhe që i kujtojnë vazhdimisht viktimat.

Sipas një komunikate të ministrisë estone të drejtësisë (Estonia është presidente e turnit e Këshillit të Ministrave BE) kremtimet e Ditës do të hapen me takimin e ministrave të drejtësisë së BE-së, që pritet të diskutojnë, ndërmjet tjerash, për krijimin e një organizmi transkombëtar lidhur me hetimin e krimeve të regjimeve komuniste si dhe të krimeve kryer nga njerëz të veçantë, ende gjallë e të padënuar, në vazhdën e  një diskutimi, mbajtur pikërisht në Talin, në ditën evropiane 2015.

Nisma lindi nga Platforma evropiane për kujtimin dhe vetëdijësimin (Pemc), themeluar në vitin 2011, me dëshirën e Parlamentit Evropian. Më 23 gusht, në mesditë, parashikohet të vendoset një kurorë përkujtimore para Shtyllës së Fitores së luftës e të pavarësisë, në Sheshin e Lirisë të Talinit, ku do të flasin ministri eston i drejtësisë, Uramas Reinsalu dhe ministra të BE-së. Do të ketë edhe një çast lutjeje, të cilit do t’i prijë imzot Urmas Viilma, kryeipeshkëv i Kishës ungjillore luterane estone.

Pasdite do të organizohet një konferencë mbi “trashëgiminë e krimeve të regjimeve komuniste në Evropën e shekullit XXI”, gjatë së cilës do të flasë Tunne Kelam, anëtar i Parlamentit evropian e, pas tij, edhe pedagogë e studiues, ardhur nga vende të ndryshme. Së fundi, ekspozita “Epoka e komunizmit”, pranë Muzeut detar eston të Talinin.   








All the contents on this site are copyrighted ©.