2017-08-13 13:14:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: feja nuk është rrugëdalje, por të mbështet në udhën e jetës.


Për Kishën “garanci kundër përmbytjes është feja në Krishtin, jo cilësitë e njerëzve të saj. E feja nuk është rrugëdalje nga problemet, por të mbështet në rrugën e jetës, së cilës i jep kuptim”.

Papa e kujtoi këtë në lutjen e Engjëllit të Tënzot, mbajtur si zakonisht në Sheshin e Shën Pjetrit, sot më pak i përvëluar se të dielat e tjera, por gjithnjë më shumë, i mbushur me shtegtarë nga vise të ndryshme. Françesku u ndalua gjatë tek episodi në të cilin (Mt 14,22-33) përshkruhet Jezusi që, pasi ishte lutur gjithë natën në brigjet e Liqenit të Galilesë, drejtohet kah barka e dishepujve të vet, duke ecur mbi ujë. Barka ndodhet në mes të liqenit, e bllokuar nga era e kundërt. Kur e shohin Jezusin duke ecur mbi ujë, dishepujt kujtojnë se ishte fantazëm e tremben. Por ai - vijoi të kujtonte faqen ungjillore Papa - i qetëson me fjalët: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!” (v27). Atëhere Pjetri dëshiron menjëherë të ecë edhe ai mbi ujë e i kërkon Zotit: “Nëse je ti, urdhëromë të vij drejt teje”. E Jezusi e thirri: “Eja! (vv.28-29). Pjetri, atëhere, zbriti nga barka e vu të ecë mbi ujë drejt Jezusit; por, për shkak të erës e të sticimit, nisi të fundosej. Atëherë bërtiti: “Zot, shpëtomë!”. E Jezusi i shtriu dorën, e kapi dhe e shpëtoi.

Ky rrëfim ungjillor, që e frymëzoi lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot-  kujtoi Papa - ka një simbolizëm tejet të pasur, që na bën të reflektojmë për fenë tonë, si individë e si bashkësi kishtare. E Françesku vijoi të shpjegonte kuptimin e simboleve kryesore të këtij rrëfimi: barka - kujtoi - është jeta e secilit prej nesh, por edhe jeta e Kishës; era, që i kundërvihet, simbol i vështirësive e provave. Kërkesa e Pjetrit: “Zot, urdhëromë të vij tek ti!” dhe menjëherë pas, britma “Zot, shpëtomë!”, simbolizojnë dëshirën tonë për ta ndjerë pranë Zotin, por edhe frikën e ankthin, që i shoqërojnë çastet më të hidhura të jetës sonë e të bashkësive tona, të cilave nuk u mungojnë brishtësitë e brendshme e vështirësitë e jashtme.

Pjetrit, në këtë çast - vijoi shpjegimin Papa - nuk i mjaftoi fjala e sigurt e Jezusit, që ishte si litar i  hedhur, tek i cili mund të kapesh për të përballuar dallgët kërcënuese të detit - e të jetës. Çka i ndodhi Pjetrit, mund të na ndodhë edhe neve. Mund të na ndodhë, kur nuk kapemi pas Fjalës së Zotit, por shkojmë e këshillohemi me horoskopët e fallxhorët. E pikërisht në çaste të tilla nis mbytja në ujërat e trazuara. Çaste të tilla na thithin në fund të humnerave të detit të jetës. Ndërsa Ungjilli i sotëm na kujton se besimi në Zotin e në Fjalën e Tij nuk hap para nesh një udhë, ku gjithçka është e lehtë, e qetë, nuk na largon nga stuhitë e jetës. Por na jep fenë! E feja, sigurinë e një pranie, që na ndihmon t’i kapërcejmë shtrëngatat ekzistenciale. Sigurinë e një dore, që na kap fort, për të na ndihmuar në çaste të vështira, duke na treguar rrugën, edhe kur jemi të rrethuar nga errësira e verbër. Feja - kujtoi Papa - nuk është rrugëdalje nga problemet e përditshme, por mbështetje, në sa vijojmë udhën e jetës, së cilës i jep kuptim.

Ky episod - vijoi të shpjegonte Françesku - është figurë  e shkëlqyer  e realitetit të Kishës së të gjitha kohëve: “Një barkë e cila, gjatë lundrimit, duhet të përballojë edhe erëra të kundërta, dallgë e stuhi, që e kërcënojnë aq, sa duket sikur do të përmbyset. Çka e shpëton, nuk është guximi, as cilësitë e njerëzve të saj; garancia kundër fundosjes është besimi në Krishtin e në Fjalën e  tij. Mbi këtë barkë ndjehemi të sigurt, pavarësisht nga mjerimet e ligështitë tona, posaçërisht - nënvizoi Ati i Shenjtë në lutjen e Engjëllit të Tënzot - kur gjunjëzohemi dhe e adhurojmë Zotin, ashtu si dishepujt që, pas provës së ecjes mbi ujë, përmbysen para Tij, duke thënë “Vërtet ti je Biri i Zotit!”(v 33).

Virgjëra Mari - u lut në përfundim - na ndihmoftë të jemi gjithnjë të fortë në fe, t’u bëjmë ballë stuhive të jetës e të mbetemi në barkën e Kishës, duke e mposhtur tundimin për t’u ngjitur mbi barkat marramendëse, por të pasigurta, të ideologjive, të modave, të sloganeve!








All the contents on this site are copyrighted ©.