2017-08-12 00:00:00

Shenjtorët e javës më 13 - 20 gusht


E diel 13 gusht Kisha katolike kremton të Dielën e 19-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 13 gusht kalendari përkujton shën Poncianin, papë dhe shën Ipolitin, martir.

Të hënën më 14 gusht, kalendari përkujton shën Maksimilian Kolben, martir. Shpirti Shenjt Zot është autor i lirisë, që na jep forcë e guxim, për ta mbajtur gjallë shpresën deri sa të bëhet dashuri, që na jep fuqinë për ta dhuruar jetën tonë për shpëtimin e jetës së të afërmit. Këtë ka dëshmuar shën Maksimilian Kolbe me martirizimin e vet. Gjithnjë më 14 gusht, bie nata e festës së Zojës së Ngjitur në Qiell, Zojës së Madhe.

Të martën më  15 gusht, Kisha katolike kremton festën e Zojës së Madhe, po edhe përkujtimin e Shën Tarçizit e të Shën Stanislau Kostkës.

Festa e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, festa e Zojës së Madhe, siç njihet e quhet nga populli shqiptar. Nuk e dimë si dhe kur ka vdekur shën Maria Virgjër, por që në kohë të hershme, Kisha e ka përkujtuar dhe kremtuar fjetjen e saj, që është festa kryesore kushtuar Zojës së Bekuar. Gjithçka admirojmë në Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjt Zot, që përmes pranimit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shpëtimit, ka sjellë fryte shëlbimi për mbarë njerëzimin.

Të mërkurën më 16 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Shtjefnin e Hungarisë, Shën Rrokun, shtegtar dhe Shën Teodorin.

Të enjten, më 17 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Kiarën e Kryqit, abateshë agostiniane, shën Euzebin, papë e martir, Shën Gjovana Delanoue e Shën Mironin.

Të premten me 18 gusht, kalendari kishtar përkujton Martirët e Ulpianës afër Prishtinës: Shën Florin e Laurin, dy shënjtorë që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianes, afër Prishtinës, në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme. 

Gjithnjë më 18 gusht bie përkujtimi i Shën Helenës, perandoreshë, nënë e Shën Konstandinit, atë të Shën Agapitos, martir e të së Lumes Paola Montaldi.

Të shtunën më 19 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin Eudes, meshtar, themeluesi i Eudistëve, shën Sikstin III, papë e shën Magno-n, martir.

Të dielën e ardhshme, më 20 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 20-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 20 gusht, kalendari përkujton Shën Bernardin, abat e dijetar i Kishës, Shën Samuelin profet dhe shën Maria de Mattias, virgjër, themeluese e Adhuruesve të Gjakut të Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.