2017-08-11 14:52:00

Papa Françesku: në vuajtje Jezusi na inkurajon të mos kemi frikë


Në ditën e përkujtimit të Shën Kjarës së Asizit, në faqen e internetit @Pontifex, lexojmë këtë tweet të ri të Françeskut: “Kur kemi diçka, që na bën të vuajmë, dëgjojmë zërin e Jezusit në zemër: ‘Mos ki frikë, ec përpara. Unë jam me ty!’”.

Ky tweet na kujton takimin e Françeskut me murgeshat klarise, në Bazilikën e Shën Kjarës, më 4 tetor 2013, kur u pati folur kështu simotrave të shenjtores së Asizit:

“Kur një motër klauzure ia kushton jetën Zotit, ndodh një shndërrim, që nuk kuptohet aq lehtë. Sipas mendimit tonë, kjo motër izolohet, vetëm me Absolutin, me Zotin, mbyllet në një jetë asketike, pendestare. Po kjo nuk është udha e një motre të klauzurës katolike, e as të krishterë. Udha kalon nëpër Jezu Krishtin, gjithnjë! Krishti është në qendër të jetës suaj, të pendesës suaj, të bashkësisë suaj, të lutjes suaj, e edhe të universalitetit të kësaj lutjeje. E gjatë kësaj udhe ndodh e kundërta e asaj, që mendohet. Kur ecën në udhën e kundrimit të Jezusit, motra nuk bëhet murgeshë asketike klauzure. Kur ecën në udhën e lutjes e të pendesës me Jezu Krishtin, ajo bëhet madhërisht njerëzore. Motrat e klauzurës janë të thirrura të kenë humanitet të madh, si ai i Kishës Nënë. Të jenë thellësisht njerëzore, të kuptojnë gjithçka i përket jetës,  të dinë të falin, t’i luten Zotit për njerëzit. E humaniteti juaj ecën nëpër këtë rrugë, rrugën e Mishërimit të Fjalës, rrugën e Jezusit. E cila është shenja dalluese e një motre kaq njerëzore? Gëzimi! Mua më trishtojnë motrat, që nuk janë të gëzuara. Ndoshta buzëqeshin, por me buzagazin e asistenteve të flurimeve ajrore. Jo me gazin, që del nga shpirti. Kur je gjithnjë me Jezusin!

Sot, në Meshë, duke folur për të Kryqëzuarin, thashë se Françesku e kishte kundruar me syhapur, me plagë hapur, me gjakun, që i rridhte rrëkajë.  E ky është kundrimi juaj: realiteti. Realiteti i Jezu Krishtit. Jo ide abstrakte, sepse t’i thajnë trutë. Kundrimi i plagëve të Krishtit. Kjo është porta e qiellit!”








All the contents on this site are copyrighted ©.