2017-08-11 13:52:00

Osservatore Romano: Kryeipeshkvi imzot Romero vinte në qendër të varfërit


“Një nga të krishterët më të njohur të kohëve tona”, flamurtar i konceptit të qendërsisë së të varfërve”. Me këto fjalë Giovanni Maria Vian, drejtor i  Osservatore Romano, e kujton figurën e Oscar Romeros, kryeipeshkëv i San Salvadorit, vrarë në vitin 1980 nga skuadrat e vdekjes, ndërsa kremtonte Meshën, shpallur i Lum në vitin 2015, nga Papa Françesku. E kujton edhe se më 15 gushtin e ardhshëm, ditën e solemnitetit Të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, do të përkujtohet njëqind vjetori i lindjes së tij.

Drejtori i së përditshmes së Vatikanit nënvizon se imzot Romero vdiq, sepse paditi padrejtësinë e dhunën, të cilat po e gjunjëzonin vendin  e  vogël jugamerikan e edhe sepse mbajti qëndrime të qarta, në emër të Ungjillit. E më pas, kujton se para varrit të tij, më 1983, u lut Gjon Pali II i cili, në vitin 1997, autorizoi hapjen e çështjes së shenjtërimit, çështje me të cilën u rimor, në vitin 2012, Benedikti XVI e, pas tij, edhe Papa Françesku, deri në vitin 2015, kur u shpall i Lum, si martir.

Por - nënvizon Vian - rëndësi të dorës së parë për Romeron pati Pali VI, Papa, që në vitin 1970 e emëroi ipeshkëv-ndihmës të San Salvadorit; më 1974, ipeshkëv të Santiago de Maria e më 1977, kryeipeshkëv i kryeqytetit. Ipeshkvi - vëren Vian - në një vend të shtypur mizorisht nga oligarkitë e nga ushtarakët, i shqetësuar për prirjet e politikave, që manifestoheshin në teologjinë e çlirimit, progresivisht arriti ta bënte të vetin konceptin e qendërsisë së të varfërve. Ndërkaq, ndërsa situata bëhej gjithnjë më e vështirë e dhuna, më shtypëse, për qëndrimin e tij të moderuar, u zgjodh kryeipeshkëv i San Salvadorit. U vu në krye të Kishës, pikërisht ngaqë e kishte kuptuar se për ta ndryshuar botën, duhej rinisur - siç shkruhet në Ungjill - nga dashuria për të varfërit. Por shumëkush mendoi se kjo zgjedhje e të varfërve ishte me karakter politik, e diktuar, ndoshta-ndoshta, nga një analizë marksiste. Por nuk ishte kështu: zgjedhja e kryeipeshkvit Romero ishte po ajo, që kish bërë vetë Jezusi. Prandaj diktatorët, ata që donin t’i mbanin përjetësisht të varfërit nën zgjedhë, t’i shfrytëzonin e t’i dhunonin, ndonëse “të krishterë”, e vranë, që t’ia mbyllnin gojën. E u munduan t’ia rivrisnin edhe kujtimin. Po imzot Romero vijon të flasë edhe sot …. E t’i kujtojë njerëzimit se Ungjilli nuk e lë botën kështu, siç është!








All the contents on this site are copyrighted ©.