2017-08-11 16:23:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së fjalës së Zotit të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.....

Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë të përshkojmë udhën e fesë e të lëshojmë krejtësisht e plotë besim jetën tonë në duar të Atit Qiellor. Ungjilli i kësaj së diele na paraqet Jezusit, që ecën mbi ujë. Kjo është dëshmia për zotërimin e sundimin e Jezusit mbi forcat e natyrës e mbi gjithçka që ato simbolizojnë. Uji, në simbologjinë biblike, mund të përfaqësojë edhe vdekjen e ringjalljen. Jezusi dëftohet si fitues e sundues i vdekjes e burim i jetës.

Pra, Ungjilli i së dielës së 19-të nga Mateu (14,22-33), na paraqet Jezusin, që ecën mbi ujë dhe i fton apostujt të bëjnë të njëjtën gjë, pa frikë. Megjithëse nuk e pranojmë, jetojmë në një shoqëri, që ushqehet vazhdimisht nga frika e kjo gjendje shpirtërore mund të na paralizojë krejtësisht, ose të na bëjë më agresivë ndaj realitetit, në të cilin jetojmë.

Më se një herë, Jezusi i nxit dishepujt e vet të mos kenë frikë, sepse fytyra e Zotit, që Ai erdhi ta bëjë të njohur mbi Tokë, nuk karakterizohet as nga zemërimi e as nga inati, por nga dhembshuria e mëshira.

Kështu dëshmon se njeriu, ashtu si Elia profet (Leximi I), mund t’i afrohet Zotit, të ngjitet në malin ku ndjen praninë e Tij e ta dëgjojë Atë, që flet në fshehtësinë e zemrës dhe perceptohet si të ishte një pëshpërimë e lehtë e erës, siç përshkruhet në Leximin e parë të liturgjisë së sotme.

Për ta dëgjuar, kërkohet një vesh i vëmendshëm, që e kupton kur kalon Hyji dhe e shijon ëmbëlsinë e pranisë së Tij. Përmes këtyre shenjave të fshehta e delikate, Zoti na tregon fuqinë e vet. Kështu i ndodh edhe Pjetrit, në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele sipas Mateut, kur në mesin e dallgëve të detit, dëgjon zërin e Krishtit, që i thotë: “Eja!” e forca e krahut të Tij e tërheq, duke e shpëtuar nga uji.

Edhe të krishterit të sotëm i kërkohet pikërisht ky qëndrim e besim ndaj dhembshurisë së Zotit e fuqisë së Tij, për të provuar kështu, shpëtimin, që vjen prej Hyjit.

Nga Ungjilli sipas Mateut (14,22-33)

Jezusi ecën mbi ujë

(Mk 6, 45‑52; Gjn 6, 15‑21)

22 Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

28 Pjetri u përgjigj:

“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

29 “Eja!” ‑ i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:

“Më shpëto, o Zot!”

31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:

“Fepakët! Përse dyshove!”

32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”.

Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.