2017-08-10 15:00:00

Don Zerai mbrohet nga akuzat: respektoj ligjin e shpëtoj jetë njerëzish


“Kam vepruar sipas ligjit, për qëllime humanitare e, do të vazhdoj kështu”: ky është reagimi i meshtarit eritreas, don Mussie Zerai, të cilit, Prokuroria e Trapanit, në Itali, i dorëzoi, ditët e shkuara, një paralajmërim për t’u paraqitur në gjyq, me akuzën e “favorizimit të emigracionit klandestin”. Kandidat i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2015, don Zerai, prej vitesh impenjohet në ndihmë të refugjatëve, sidomos të atyre nga Eritrea. Mbrohet nga akuzat, duke deklaruar se ka vepruar gjithnjë për të shpëtuar jetë njerëzish. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

         Natyrisht, nuk është aspak e këndshme të akuzohesh kështu. Po jetojmë kohë paradoksale, në të cilat solidariteti kriminalizohet. Në vend që të analizohen shkaqet, të cilat i nxisin këta njerëz të ikin; në vend që të hapen kanale të ligjshme për ata që detyrohen të ikin, nuk kuptohet pse synohet të persekutohen ata, që u shtrijnë dorën nevojtarëve dhe atyre, që ndodhen në rrezik. Është gjueti shtrigash: kushdo tregon, në një formë apo tjetrën, solidaritet ndaj refugjatëve dhe emigrantëve, i mbyllet goja, ose kriminalizohet me fushata mediatike e të tjera. Ajo për të cilën akuzohem është se i kam treguar për këta njerëz në rrezik jete, Rojes Kufitare Italiane, ose asaj malteze e, edhe Ojq-ve, që ndihmojnë njerëzit në Mesdhe, “duke shpikur” pastaj një “chat” të fshehtë apo gjëra të këtij lloji. Nuk kisha asgjë të fshehtë; nuk kam marr pjesë në asnjë “chat” të fshehtë.

         Akoma ikin njerëz nga Eritrea? Cila është gjendja, sot?

         Po, ikin akoma, megjithëse më pak. Rrugët e ikjes janë bërë më të rrezikshme e plot pengesa, prandaj arrijnë më pak. Por, mjafton të shkojmë në Sudan, në Etiopi, në Ugandë e, gjejmë mijëra eritreas të ikur nga vendi i tyre. Derisa të ekzistojë shërbimi ushtarak me kohë të pacaktuar dhe të mohohen të drejtat themelore, është e qartë që të rinjtë do të kërkojnë një të ardhme ndryshe. “T’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre”, deri tani, ka mbetur parrullë. Nëse bota dëshiron të ndihmojë afrikanët në shtëpinë e tyre, duhet t’ia lërë burimet natyrore dhe njerëzore Afrikës e t’i japë një dorë për t’i shndërruar në burime zhvillimi, drejtësie e demokracie. Në të vërtetë, shumë shkojnë në Afrikë për ta vjedhur e me parrullën “t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre” mbërrijnë tonelata me armë.








All the contents on this site are copyrighted ©.