2017-08-08 15:45:00

Në Milano, funerali i kard. Tettamanzi, dëshmitar besnik i Krishtit


U kremtua sot në Milano, nga administratori apostolik i kryedioqezës, kardinali Angelo Scola, funerali i kardinalit Dionigi Tettamanzi, që ndërroi jetë të shtunën. Më se 5000 besimtarë e mbushën Duomon plot e përplot. Bashkëkremtuan gjashtë kardinaj të tjerë, rreth 30 ipeshkvij e kryeipeshkvij e më se njëmijë meshtarë. Të shumta, autoritetet civile lokale e ato qendrore, të qeverisë italiane.

         “Vdekja e këtij njeriu, ‘i dashur e për t’u dashur’ – siç e quan Papa Françesku, në mesazhin e tij – nuk është mundje për jetën; përkundrazi, është plotësimi i saj: vdekja e tij është fitore”.

         Duke iu referuar Leximeve liturgjike, kardinali Scola kujtoi se ashtu si Krishti, edhe kardinali Tettamanzi diti ta kthejë jetën e vet në ofertë:

         “Të bënte përshtypje buzëqeshja e përhershme, shprehje e një humaniteti që të ngjitet, jehonë e dhembshurisë së Jezusit e të Shenjtes Mari ndaj të gjithë atyre, që takonte e përshëndeste një nga një, me durim të jashtëzakonshëm”.

         Më pas, një vështrim mbi veprimtaritë e shumta të kardinalit, ku spikasin bashkëpunimi me Shën Gjon Palin II, Benediktin XVI e së fundi, edhe me Papën Françesku, në fushën e shkencave morale e bioetike, ku ishte ekspert i vërtetë.

         Në përfundim të kremtimit, varrosja e kardinalit Tettamanzi në Duomon e qytetit verior italian, në anën e djathtë të katedrales, në këmbët e altarit të Virgo Potens, përkrah urnës së të Lumit kardinal Schuster, dikur, kryeipeshkëv i Milanos.








All the contents on this site are copyrighted ©.