2017-08-08 11:51:00

Hiroshima e Nagasaki: 72 vjet më parë, nën bombat amerikane


Nëse ideja e fundit të botës do të mund të përmblidhej në një figurë e në një tingull të vetëm, ndoshta do të mjaftonte kërpudha e tmerrshme e tymtë  dhe tingulli shurdhues, prodhuar nga bomba atomike e lëshuar 72 vjet më parë mbi qytetin japonez të Hiroshimës, nga aeronautika amerikane, më 6 gusht 1945….

Kujtim, ndërmjet dy bombash atomike: Hiroshima

Në orën 8:15 të 6 gushtit 1945, bomba “Little boy” bëri hi e pluhur mijëra njerëz vetëm në pak sekonda. Zogjtë u dogjën në fluturim. Çeliku i ndërtesave u shkri si dëbora nën diell. Gjithçka u kthye në hi e pluhur. Më se 80 mijë njerëz u karbonizuan vetëm në pak sekonda.

Nagasaki

E vetëm tri ditë më vonë, më 9 gusht të të njëjtit vit, ushtria amerikane  e përsëriste këtë skenë, duke lëshuar mbi Nagasaki bombën “Fat man”, që  la pas rreth 200 mijë të vdekur.

 “Dhjetë ditë për paqen”

“Dhjetë ditë për paqen” - kjo, nisma e Konferencës ipeshkvnore japoneze, që sivjet vijon nga 6 deri më 9 gusht, me rastin e përkujtimit të viktimave të bombardimeve, ashtu si vijojnë edhe ngjarjet lokale, për të kujtuar të vdekurit. Kujtesë më e rëndësishme se kurrë, nëse kemi parasysh vijimin e provave bërthamore në shumë vende aziatike, sidomos në Korenë e Veriut,  e cila s’bën tjetër, veçse pasqyron të njëjtën mendësi që kanë  fuqitë e mëdha. E nuk është vetëm Koreja, që kërcënon çdo ditë botën! Janë  edhe India e Pakistani, edhe këto, fuqi bërthamore, që tundin armët atomike nën hundën e njerëzimit.

Prej këndej, edhe përkujtimi i masakrës çnjerëzore atomike të 1945-s, që nuk duhet të zhduket kurrë nga kujtesa e popujve. Mbasi, të moshuarit vdesin njëri pas tjetrit, krijohet rreziku që, bashkë me ta, të zhduket edhe kujtesa. Natyrisht, janë muzetë, por breznitë e reja kanë nevojë për dëshmi të gjalla! Që të mos kthehen kurrë më, brenda pak sekondash, në hi e pluhur, si gjyshërit!  








All the contents on this site are copyrighted ©.