2017-08-07 11:21:00

Papa, peruvianëve, në një videomesazh: punoni për bashkimin


Punoni për bashkimin: kjo është ftesa e Papës për peruvianët, që presin të takohen me Atin e Shenjtë në janar 2018. Thirrja përmbahet në një videomesazh, që u bë i njohur nga kryeipeshkvi i Limës, kardinali Juan Luis Cipriani Thorne.

         Françesku shpreh “dëshirën e tij të madhe” për të shkuar në vendin amerikanojugor. “Jeni një popull me shumë tradita të pasura – thekson Ati i Shenjtë. – Pasuria më e madhe, që mund të dojë një Papë është ajo e shenjtorëve”. E vërtet, Peruja ka “shumë shenjtorë të mëdhenj, që e kanë ndryshuar Amerikën Latine. Shenjtorë, që kanë ndërtuar Kishën”, duke ecur nga shpërhapja drejt bashkimit. “Shenjti – vijon Papa – punon gjithnjë në këtë drejtim: nga gjithçka është e shpërndarë drejt bashkimit. Kështu bëri edhe Jezusi. E i krishteri duhet ta ndjekë këtë udhë”.

         Ati i Shenjtë i fton peruvianët të ecin së bashku me shenjtorët e tyre, të punojnë për bashkimin. “Kush punon për bashkimin – shpjegon Françesku – sheh përpara”. Por, vëren Papa, mund të shihet përpara me skepticizëm dhe hidhërim. Kjo nuk është e krishterë. “I krishteri sheh përpara me shpresë, sepse shpreson të arrijë atë, që i ka premtuar Zoti”. Prandaj, bën thirrje Françesku, punoni për bashkimin e për shpresën. Ati i Shenjtë u jep takim peruvianëve vitin e ardhshëm, kur nga 15 deri më 21 janar 2018 do të shkojë në shtegtim në Kili e në Peru.








All the contents on this site are copyrighted ©.