2017-08-03 09:00:00

Rubrika: Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Papa Gjoni IV


Në emisionin e tretë të rubrikës: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”,  Papa i tretë, në damarët e të cilit do të gjejmë vërtet disa pika gjaku ilir – e shumë krenari “shqiptare”. E kemi fjalën për Papën Gjoni IV:

Gjoni IV (Zarë… – 12 tetor 642), që papnoi nga 24 dhjetori i vitit 640, deri në vdekje, është Papa i 72 - të i Kishës katolike… I treti me origjinë ilire. Ishte dalmat, bir i diakonit Venancio. Kaq dihet për të, para se të bëhej papë. Perandori e miratoi papninë e tij vetëm katër muaj pas zgjedhjes, kohë gjatë së cilës Kisha e Romës qeverisej nga “Triumvirati” tradicional, i përbërë nga një kryediakon, një kryeprift e një kryenoter papnor.

Edhe të dhënat për papninë e tij janë tepër të mangta. Dihet vetëm se në këtë periudhë Roma kalonte kohë mjaft të qeta, mbasi konflikti më i mprehtë, ai ndërmjet Longobardëve e Bizantinëve i mbante dy krerët më të fuqishëm shumë larg nga Qyteti i Amshuar. Ngjarja e parë, e denjë për t’u kujtuar nën papninë e Gjonit, ishte dënimi i doktrinës monoteliste, deklaruar heretike edhe nga papa paraardhës, Severini, e nga ana e një koncili të thirrur prej tij në Romë. Në vitin 638 perandori  Herakliu I, pati shpallur një dokument (l’Ekthesis), përmes të cilit e miratonte monotelizmin e, për t’i mbyllur një herë e mirë gojët, që flisnin papushim për e kundra, i ndalonte të gjitha diskutimet lidhur me këtë argument. Papa Onori I, duke mos u thelluar sa duhet në këtë çështje, mbajti të njëjtin qëndrim me perandorin, ndërsa pak më pas, Papa Severini iu kundërvu. Së fundi Papa Gjoni, në Apologjinë e tij pro Honorio Papa, drejtuar në vitin 641 perandorit të ri, Kostandinit III, i cili shumë shpejt u vra, për t’u zëvendësuar nga Kostanti II, bëri një përpjekje të re në favor të ortodoksisë, duke dashur, ndërkaq, ta rehabilitonte kujtimin e Onorit. Kostandini e siguroi Papën se do ta shfuqizonte Ekthesis e se do të kthehej rishtas në rrugën e drejtë të Kishës romake, por, me sa duket, u pendua, vuri thembrat ku kish vënë majat e problemi mbeti i pazgjidhur e pastaj, edhe i harruar në shekuj, sepse dolën herezi të reja, probleme të reja e ndeshje të reja.

Ndërmjet shumë veprimtarive të Papës, në qendër të vëmendjes, ishte Dalmacia, problemet e së cilës i pati fort për zemër mbasi, siç deklaroi shumë herë, ishte vendlindja e tij. Prej këndej nuk i kurseu përpjekjet për t’iu bërë krah popullsive dalmate, asokohe të tmerruara nga dyndjet barbare. Dërgoi në Dalmaci Martinin Abat, me një shumë të madhe të hollash, për të liruar bashkatdhetarët, robër të sllavëve dhe të avarëve. Martini shkoi, çliroi shumë robër dalmatë e, më të kthyer, solli me vete reliket e shenjtorëve Venanci, Anastasi, Mauri e të shumë të tjerëve. Gjoni ngriti menjëherë një kapelë, në skajin ndërmjet Gurrës Kostandiniane të Pagëzimit e Oratorit të Shën Gjonit Ungjilltar, kushtuar Shën Venancit për të cilin, me sa duket, kishte devocion të veçantë, ndoshta edhe pse i kujtonte emrin e të atit. Si përfundoi ndërtimi i kapelës, Papa Gjoni e stolisi me mozaikë e shumë objekte të tjera të çmuara artistike. Gjatë Papnisë së tij Gjoni IV shuguroi 18 ipeshkvij, 18 presbiterë e pesë diakonë.

Vdiq më 12 tetor 642 e u varros në Shën Pjetër. Ia lëmë lexuesit ta gjykojë nëse mund të quhet “ i treti Papë shqiptar”.

Bibliografi

Sereno Detoni, Giovanni IV. Papa dalmata, Libreria Editrice Vaticana, 2006 ISBN 978-88-209-7889-1

Luciano Rota, I Papi Caio e Giovanni IV, IN Istria e Dalmazia. Uomini e tempi, II, Dalmazia, Udine, Del Bianco 1992

Claudio Rendina, I Papi. Storia e segreti, Newton Compton, Roma, 1983

Biografia di papa Giovanni IV nell’Enciclopedia dei Papi Treccani

Catholic Encyclopedia, newadvent.org.








All the contents on this site are copyrighted ©.