2017-08-03 14:21:00

"Ndjesa Bibioneze" nga 1-16 gusht. Dëshmi e kard. Ernest Simoni


“Në njëqind vjet, njerëzimi ka arritur fitore të rëndësishme, ka krijuar institucione ndërkombëtare që të mos përsëriten më tragjedi të caktuara, por fatkeqësisht, nuk është zhdukur dëshira për pushtet, etja për fitime e tregu i burimeve energjitike dhe i armëve, që shërbejnë për t’i arritur e për t’i mbrojtur ato”. Kështu u shpreh prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, duke paraqitur në Bibione të Italisë, të ashtuquajturën “Ndjesë Bibioneze” apo “Falje Bibioneze”, që mund t’i kërkohet Zotit nga 1 deri më 16 gusht. Lejen për këtë takim të parë në histori e dha Papa Françesku. Të premten, më 11 gusht, në Bibione do të jetë i pranishëm edhe kardinali shqiptar, Ernest Simoni, i cili do të japë dëshminë e persekutimit të tij dhe të popullit shqiptar, gjatë komunizmit.

         Besimtarët e mbledhur në Bibione, vend bregdetar në Venedik, do të luten veçanërisht për bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme. Duke pasur parasysh letrën e Papës Benedikti XV për popujt ndërluftues të Konfliktit të parë Botëror, 100 vjet më parë, kardinali Sandri kujtoi se “nga kërdia e shkaktuar me topa e pushkë në llogoret e Friulit, jo larg nga Bibione, kaluam në shpërthimet bërthamore të Hiroshimës e Nagasakit, përvjetori i trishtë i të cilave do të jetë pas pak ditësh e më tej, deri në bombat, që sot, ndokush guxon t’i quajë ‘Nëna’”.

         Vëllezërit dhe motrat e Kishave Lindore, shtoi kardinali, provojnë mbi lëkurën e tyre vuajtje e masakrime të kota, shkaktuar pjesërisht nga një çast tjetër, kur të pushtetshmit e kësaj bote e bënë veshin të shurdhër para thirrjes së shën Gjon Palit II për të ndalur Luftën e Gjirit Persik dhe pushtimin e Irakut: “Kurrë më luftë!”. Të lutemi, kërkoi prefekti, për ndryshimin e zemrave, në mënyrë që aspirata e paqes së drejtë e të qëndrueshme të mos mbetet ëndërr.

         Në përfundim të meshës së kremtuar me këtë rast, kardinali Sandri dha Bekimin Papnor me të cilin lidhet edhe Ndjesa e Plotë. Para kremtimit, hapja e Portës Shenjte. Programi i “Ndjesës Bibioneze” fillon sot me “Natën e bardhë të Mëshirës” e do të vazhdojë me nisma të ndryshme si meshë në plazh, adhurime të Eukaristisë gjatë natës, shfaqje teatri, ditë solidariteti, si edhe me edicionin III të çmimit “Luigi Padovese”, që sivjet i jepet Rojtarit të Tokës Shenjte, atë Francesco Patton. Siç e thamë, të premten, më 11 gusht, kardinali Ernest Simoni do të kremtojë meshën dhe do të dëshmojë për 24 vitet e internimit në Shqipëri. Kremtimet do të mbyllen më 16 gusht nga ipeshkvi lokal, imzot Giuseppe Pellegrini.








All the contents on this site are copyrighted ©.