2017-08-02 17:10:00

Kardinali Parolin në Porciunkola, për Ndjesën e Asizit


“Falja e Asizit” apo Ndjesa e Porciunkolës: që prej tetë shekujsh, më 1 e 2 gusht, miliona shtegtarë mund të gëzojnë një privilegj unik e të veçantë: të gjejnë paqen dhe faljen. Ia kërkoi Zotit, Shën Françesku, në atë natë lutjesh të përgjëruara, më 2 gusht 1216.

         Veçanërisht solemn përvjetori i sivjetëm, që përkoi me përfundimin e 800-vjetorit të Ndjesës së Asizit, jubile i përuruar më 2 gushtin e vitit të kaluar e stolisur edhe nga shtegtimi i Papës Françesku në Porciunkola, 2 ditë më pas.

         Kryesoi kremtimin solemn të mbylljes së jubileut, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili, gjatë homelisë, kujtoi si Shën Françesku “i ngazëllyer, pasi mori nga Papa Onori III mundësinë për ndjesën e plotë… nuk e përmbajti gëzimin dhe thirri: ‘Vëllezërit e mi, dua t’ju çoj të gjithëve në Parajsë’”.

         Fjalë, shtoi kardinali, “që na flasin edhe për misionin themelor të Kishës, atë të favorizimit të takimit të Zotit me njerëzit, të ndërtimit të urave të forta ndërmjet Qiellit e Tokës, të orientimit drejt udhës së shëlbimit për të gjithë e jo të rezervuar për grupe të vogla të urtësh e të diturish”.

         Prelati e bashkoi simbolikisht Porciunkolën me Shpellën e Betlehemit e me Shtëpinë Shenjte të Nazaretit për të dëshmuar se “mëshira e pafundme hyjnore tregohet në një hapësirë të përcaktuar. Zoti… përdor përvuajtërinë, zgjedh periferitë e jep shenja delikate”. Duke cituar Papën Françesku, kardinali nënvizoi se “në një farë mënyre, Gjithpushteti i Hyjit eklipsohet, që lavdia e Fjalës së mishëruar të shprehet sidomos me dashuri e mëshirë”.

         Përmes disa pyetjeve që krijonin paradoks, Sekretari i Shtetit të Vatikanit shpjegoi pse Zoti zgjedh të vegjlit: “Vetëm esenca e Hyjit, që është dashuri, mund ta shpjegojë këtë lëvizje të Krijuesit nga lart-poshtë, këtë dëshirë për t’u bërë i vogël, i brishtë dhe i varur nga kujdesi i njeriut. Si të mos shpërthejmë në një himn ngazëllimi e ta madhërojmë Zotin për gjithçka kryen? Si të mos gëzojmë për mirësinë, që nuk kufizohet në kundrimin e vetvetes, por dëshiron të përhapet e ta dhurojë vetveten? Që pranon – për dashuri – të plagoset, të refuzohet, të gozhdohet në kryq?”

         Kardinali Parolin kujtoi sa i rëndësishëm ishte Parrizi (Parajsa) në kohën e Shën Françeskut e sa të gatshëm ishin njerëzit të ecnin, të impenjoheshin, të luteshin, për të mos e larguar atë perspektivë nga horizonti. Në ato kohë, njerëzit e kuptonin se fati përfundimtar i njeriut nuk caktohej mbi tokë, por në botën tjetër, në qytetin e shenjtorëve.

         Sot, vërejti kardinali, shoqëria aktuale nuk na ndihmon ta kuptojmë këtë dhe e ka të vështirë të krijojë hapësira për Zotin e për Kishën, për lumin e hireve që vjen nga Sakramentet, për rëndësinë e ruajtjes së Fjalës së Zotit, që të mos shkatërrohen familjet, famullitë apo ambientet e punës. Pikërisht nga Porciunkola, ku çdo besimtar ka mundësi ta rifillojë jetën nga e para, pas marrjes së ndjesës së plotë, kardinali Parolin ftoi të shihet me sy të rinj realiteti i sotëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.