2017-08-02 17:32:00

Indonezi: filloi Dita e Rinisë Aziatike


Filloi sot në qytetin indonezian të Yoygiakarta-s, në ishullin e Xhavës, Dita VII e Rinisë Aziatike, tema e së cilës ka të bëjë me dëshminë e Ungjillit në kontekstin e Azisë shumëkulturore. Tingulli i një gongu të madh prej bakri hapi zyrtarisht ditët, që do të vijojnë deri më 6 gusht. Në Yoygiakarta, e cila në Indonezi njihet si “qyteti që buzëqesh”, janë mbledhur rreth 2 mijë të rinj nga 21 vende të rajonit. Objektivi kryesor i kësaj Dite të Rinisë është të dëshmohet Ungjilli në një ambient shumëkulturor e shumëfetar, në të cilin, nevoja për dialog e njohje të ndërsjelltë bëhet gjithnjë e më e fuqishme.

         Në ceremoninë e hapjes, në zonën e panairit të qytetit, morën pjesë edhe autoritete kombëtare e lokale, ndër të cilët Sulltani guvernator i Yoygiakarta-ës, autoriteti më i lartë politik e fetar islamik në nivel lokal. Tema e dialogut ndërfetar është ndër më të ndjerat në Indonezi, vendi më i madh islamik i botës, me më se 250 milion banorë, ku katolikët janë më pak se 3% e popullsisë.

         “Duam t’u dëshmojmë të rinjve të Azisë e të gjithë botës - nënvizoi kryetari i ipeshkvijve indonezianë, imzot Ignatius Suharyo - se Indonezia është vend i sigurtë e se kërcënimi i radikalizmit mund të largohet përmes dialogut”. “Bashkim në larmi” është motoja e Indonezisë, të cilën e kanë të gjithë si pikë referimi. Pikërisht për këtë, në Ditën e Rinisë Aziatike marrin pjesë edhe të rinj myslimanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.