2017-08-01 12:24:00

Siri: Vajza të parritura martohen me luftëtarët e djem të mitur nisen drejt vdekjes


Sipas Zëdhënësit të Unicef Italia, në Raqqa, vajza ende të parritura martohen me luftëtarët e Isis, ndërsa djemtë, pa i mbushur mirë të nëntë vjetët, rekrutohen e nisen në luftë, ku i pret vdekja e sigurt.

“Punonjësit tanë të Unicefit kanë mbledhur dëshmi tronditëse prej fëmijëve, që ikin nga Raqqa” - deklaron Andrea Iacomini, zëdhënës i Unicef Italia: “Të dhënat flasin për vajza të vogla, që detyrohen të martohen me luftëtarët, ose që prindërit i martojnë me kushërinjtë, për t’i shpëtuar nga duart e milicëve. Shumë të rinj – vijon Iacomini – zhduken papritmas. Disa prej tyre tregojnë se ishin rekrutuar nga Isisi dhe ishin nisur drejt e në front. Të tmerruar, kishin arritur të iknin, duke kaluar nga një çati në tjetrën, të ndjekur nga të shtënat e luftëtarëve të Isisit, për të kapërcyer, pastaj, zona krejtësisht të minuara. Çka të trondit më shumë, është numri i fëmijëve me moshë 9-10 vjeç, të rekrutuar nga Isis e të detyruar të luftojnë, kundër dëshirës së tyre. Një pjesë e mirë vriten e kufomat e tyre shpesh u kthehen familjeve. E në Raqqa nuk flitet vetëm për fëmijë-ushtarë, por edhe për mijëra fëmijë të tjerë e familje të pafajshme, të ngujuara nga konflikti. Këto, të dhënat e Unicefit, shoqëruar me përsëritjen e thirrjes drejtuar palëve në konflikt  që t’i mbajnë fëmijët larg nga gjithë këto mizori, t’i mbrojnë e t’u sigurojnë urgjentisht ndihmat e nevojshme humanitare.  








All the contents on this site are copyrighted ©.