2017-08-01 11:22:00

Dita e Rinisë Aziatike në Indonezi: “jo”, ekstremizmit


Nga 2 deri më 6 gusht, në qytetin e Yogyakarta të Indonezisë, mbahet Dita e shtatë e Rinisë Aziatike. Pikërisht sot, përfundon faza përgatitore, që zgjati tri ditë. Edicioni i fundit i kësaj Dite u zhvillua në Korenë e Jugut, në vitin 2014, me pjesëmarrjen e Papës Françesku.

Indonezia, vendi më i madh islamik i botës

         Indonezia është vendi më i madh islamik i botës – flasim për 250 milion njerëz -  por mirëpret rreth 3 mijë të rinj katolikë, ardhur nga 21 shtete të Azisë, për të jetuar këto ditë së bashku e për të reflektuar mbi temën “Rinia aziatike gëzimplotë: të jetojmë Ungjillin në Azinë shumëkulturore”. Ngjarja është veçanërisht e rëndësishme për arqipelagun indonezian, gjithnjë i kërcënuar nga grupet e Islamit radikal, armiq të bashkëjetesës demokratike e pluraliste, garantuar nga Kushtetuta dhe nga sistemi i parimeve mbi të cilat bazohet, njohur me emrin “Pancasila”. Valeria Martano, nga Bashkësia e Shën Egjidit, na shpjegon rëndësinë e Ditëve Rinore Aziatike në Indonezi:

         Gjendja është tepër delikate, në zhvillim e sipër, pa dyshim, prandaj, është e drejtë të shqetësohemi pak. Sepse Indonezia është vendi mysliman më i populluar i botës. E ka ruajtur gjithnjë traditën demokratike, pluraliste, bazuar në ideologjinë “Pancasila”, që pranon traditat e ndryshme fetare e promovon drejtësinë shoqërore, duke mbrojtur unitetin e vendit. Por, e gjithë kjo kërcënohet nga tensionet aktuale, për shkak të lindjes së grupeve radikale.

         Cila është gjendja aktuale?

         Gjendja është shumë e ndërlikuar. Nga njëra anë, dy organizata e mëdha myslimane indoneziane, Nahdlatul Ulama dhe Muhammadiyah, po përpiqen, me strategji të ndryshme, ta mbajnë fort timonin e vendit drejt pluralizmit. Ato përfaqësojnë dy orientime të ndryshme, por të dyja mishërojnë frymën e “Pancasila”-s. Nga ana tjetër, qeveria ka krijuar një njësi të veçantë për mbrojtjen e “Pancasila”-s, për t’u vënë fre fraksioneve radikale edhe nga pikpamja kulturore, ideologjike, duke përfshirë shoqërinë civile. Njëkohësisht, janë miratuar ligje të veçanta kundër shoqatave tejet ekstremiste. Është çast delikat dhe i rrezikshëm, sepse vitin e ardhshëm ka disa takime zgjedhore, të cilat mund të ndikohen nga ekstremistët. Edhe në këtë perspektivë, organizimi i Ditës Rinore Aziatike në Indonezi ka rëndësi të jashtëzakonshme. Pritet me shumë entuziazëm edhe nga shumë të rinj myslimanë, që do të marrin pjesë në të. 








All the contents on this site are copyrighted ©.