Tingëllon e fuqishme, si klithmë kushtrimi, thirrja e Papës për mbrojtjen e gjithësisë, e, si pasojë, edhe për luftën kundër urisë.
Me Enciklikën “Lëvduar qofsh” dhe me audiencat në favor të fushatave,
si ajo e organizuar nga Caritas Internationalis; me video-mesazhet e me fjalimet
drejtuar Fao-s (kujtojmë atë të 2014-tës në Selinë e Organizatës në Romë), Françesku
nuk ngurron shumë e i fton të gjithë njerëzit e pushtetshëm të botës si dhe qytetarët
e thjeshtë, t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre:
“Angazhimi i secilit vend për të rritur nivelin e vet të ushqimit, për të
përmirësuar veprimtaritë bujqësore dhe kushtet e jetesës e të punës së popullsisë
fshatare, konkretizohet duke i dhënë shtytje sektorit bujqësor, duke shtuar prodhimet
e duke vënë në jetë një sistem të frytshëm të shpërndarjes së tyre. Por kjo nuk mjafton!
Objektiva të tilla kërkojnë ta kemi parasysh çdo ditë se e drejta e çdo njeriu për
t’u çliruar nga varfëria e nga uria varet nga detyra e mbarë familjes njerëzore për
t’i ndihmuar konkretisht nevojtarët”.
Të dhënat janë të frikshme. Statistikat e fundit, hartuar nga WFP-World Food Programme - Programi Ushqimor Botëror - flasin për 795 milionë njerëz në botë pa ushqim të mjaftueshëm e për 150 milionë të uritur më pak mbi tokë, nëse edhe gratë do të kishin të njëjtat të drejta me burrat në shfrytëzimin e burimeve.
Për ta konkretizuar situatën, mjafton të kujtojmë Jemenin (prej dy vjetësh në luftë civile), zhytyr në një nga krizat më të mëdha humanitare aktuale, siç deklaroi Drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Josè Graziano da Silva, duke folur, qershorin e kaluar, në videokonferencën e Gjenevës, gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Pyetja, që mbetet pa përgjigje, është një e vetme, sidoqë mund të duket krejt e rëndomtë: ç’e pengon për të arritur suksesin “Sfidën zero uri”, nismë e filluar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon si dhe projekte të tjera, lindur për zhdukjen e urisë në botë?
Ç’e pengon zhdukjen e kësaj shuplake, që përdoret në mënyrë cinike si armë për të mbrojtur interesa ekonomike dhe ekuilibra gjeo-politike të veçanta? Kjo pyetje, që e ka brenda vetes edhe përgjigjen, na tregon pse, me gjithë përpjekjet e shumta, në botë ka ende njerëz që vdesin nga uria!
Uria në botë, për Papën Françesku, mbetet sfidë e madhe e së ardhmes!
All the contents on this site are copyrighted ©. |