2017-07-29 09:00:00

Vatikan: historia e kishës së Shën Martës, ku banon Papa


Shtëpia e Shën Martës: emër e vend, që u bë i njohur në gjithë botën, duke filluar nga dita e parë e papnisë së Françeskut. Ati i Shenjtë deshi të banojë aty e jo në apartamentin e papëve në Pallatin Apostolik. Por, pak e dinë se ai toponim, së bashku me sheshin mbi të cilin ngrihet ndërtesa, është e vetmja lidhje me një kënd të Vatikanit, që tashmë është zhdukur. Disa dhjetra metra nga banesa aktuale e Papës Françesku, pas Bazilikës së Shën Pjetrit, aty ku sot ngrihet  Pallati i Gjykatave, në gjysmën e parë të ‘500-ës u ndërtua kisha e vëllazërisë së Shën Martës. Pranë saj, edhe një spital e një varrezë, në dispozicion të zyrtarëve e të njerëzve të shërbimit në pallatet apostolike. Këta të fundit bënin pjesë në vëllazërinë e Shërbëtorëve, pra, të atyre që, si shën Marta – dishepulle e Jezusit, motër e Marisë dhe e Lazrit, që Kisha e kujtoi dje, më 29 korrik – ishin në shërbim të Zëvendësit të Krishtit mbi tokë, atëherë, Papa Pali III.

Kisha, pas disa restaurimesh, përfundoi në vitet ‘600. Brenda kishte dekorime të çmuara. Kur u shpërnda vëllazëria, kompleksi i Shën Martës, në vitin 1726, iu besua kongregatës së trinitarëve të zbathur e, spitali u bë selia e re e seminarit vatikanas. Pas ndodhive të ndryshme në kongregatën e trinitarëve, kisha kaloi në përdorim ekskluziv të seminarit, me urdhër të Papës Piu IX. Në fund të viteve ‘800 u restaurua, por ai qe çasti i fundit i lavdisë së saj. Në fillim të shekullit të mëpasëm, ndërtesa u sakrifikua dhe u shemb, në kuadrin e risistemimit urbanistik të zonës.

Kjo histori tregohet me hollësi nga arkitektja Ilaria Delsere, në librin “Kisha dhe spitali i Shën Martës në Vatikan”, botuar në vitin 2016 nga Edizioni Capitolo Vaticano. I shoqëruar me botimin anastatik të një monografie të ‘800-ës kushtuar kësaj teme, vëllimi është i pasur me fotografi të kohës e të sotme, që dokumentojnë transformimin e zonës, në vitin 1930.








All the contents on this site are copyrighted ©.