2017-07-29 16:25:00

Një meshtar tjetër vritet në Kolumbi


Një emër tjetër shtohet në listën e haraçit të gjakut, që po paguan Kisha e Kolumbisë për paqësimin e vendit. Është emri i atë  Diomer Eliver Chavarría Pérez, vrarë gjatë ushtrimit të misionit të tij natën ndërmjet 27 e 28 korrikut, në Puerto Valdivia të Antioquia. Shkaqet e vrasjes janë ende për t’u sqaruar. Lajmi - njofton agjencia Sir - u bë i njohur me vonesë, pasi kishin kaluar shumë orë nga çasti i vrasjes, sepse nuk ishte aspak e lehtë për forcat e rendit të hynin të sigurta në zonën, teatër i krimit, aspak e sigurt e shpesh e frekuentuar nga luftëtarët e Ushtrisë së çlirimit kombëtar (Eln) dhe nga bandat kriminale.

Dhimbja e Kishës kolumbiane 

Konferenca ipeshkvnore kolumbiane, në një komunikatë botuar në faqen e saj të internetit, shpreh dhimbjen e thellë për këtë vrasje të re. Ipeshkvi i dioqezës Santa Rosa de Osos, imzot Jorge Alberto Ossa Soto, shkruan: “T’i lutemi Zotit që meshtari ynë të pranohet në shtëpinë e Atit e që vrasësit e tij të kthehen në rrugën e Zotit. Refuzojmë çdo formë dhune, që cënon jetën dhe dinjitetin e njeriut”.

Atë  Diomer Eliver Chavarría Pérez, 31 vjeç, shuguruar meshtar më 19 mars 2012, pikërisht nga imzot Ossa Soto, pritej nga besimtarët për Meshën, të enjten paradite, në Raudal, por më kot. Meshtari nuk do të ngjitej kurrë më në altar: një grup besimtarësh shkoi ta kërkojë në shtëpi. E gjeti pa jetë, të vrarë me të shtëna arme zjarri.








All the contents on this site are copyrighted ©.