“Foshnja jonë e mrekullueshme shkoi. Jemi vërtet krenarë për Charlie". Me këto fjalë Connie Yates e Chris Gard njoftuan mbrëmë vdekjen e djalit të tyre 11 muajsh, pas transferimit në një hospic – sipas vendimit të Gjykatës së Lartë të Londrës – ku iu ndërpre frymëmarrja artificiale, që e mbante në jetë.
Papa Françseku shprehu dhimbjen e tij përmes një tweet-i: “Ia besoj Atit qiellor vogëloshin Charlie e lutem për prindërit dhe njerëzit, që e deshën fort”. Kujtojmë se Papa ishte shumë pranë foshnjës e prindërve gjatë gjithë peripecive të kësaj ngjarjeje, që emocionoi mbarë botën.
Charlie, i prekur nga një sëmundje gjenetike, ndërroi jetë pas një beteje të gjatë ligjore nga ana prindërve, të cilët dëshironin ta mjekonin, falë terapive eksperimentale në SHBA-të, pa marrë parasysh refuzimin e Great Ormond Street Hospital të Londrës, ku ishte shtruar foshnja. Çifti, më në fund, u dorëzua, por me denoncimin për vonesa burokratike e juridike, duke nënvizuar se duhej ndërhyrë menjëherë, duke rrezikuar gjithçka për gjithçka, me shpresë se jeta e fëmijës mund edhe të shpëtonte. Mijëra, lutjet e ngushëllimet, që po i vijnë familjes Gard nga mbarë bota, edhe përmes internetit.
Charlie lindi më 4 gusht 2016: pas pak ditësh do të kishte mbushur një vit. Në fillim dukej krejt i shëndoshë, por pas pak javësh u panë shenjat e një sëmundjeje tejet të rrallë degjenerative: sindroma e deplecionit të Adn-së mitocondriale, që shkakton dobësimin progresiv muskolar.
Në strukturën, ku u kaloi orët e fundme të jetës, fillimisht iu hoqën tubat e më pas u shkëput edhe aparati, përmes të cilit merrte frymë. Vdekja erdhi vetëm pak minuta më pas. Prindërit dëshiroin t’i mbyllte sytë në shtëpinë e vet, në dhomëzën e vet, por kjo qe e pamundur, sepse makinat që e mbanin në jetë nuk mund të kalonin nëpër portën e shtëpisë. Fjalët e fundit të nënës: “Great Ormond Street Hospital na e mohoi dëshirën e mbrame!
All the contents on this site are copyrighted ©. |