2017-07-27 12:24:00

Selia e Shenjtë: vetëm dialogu mund të sjellë paqen në Lindjen e Mesme


Procesi i paqes izraelito-palestineze nuk mund të përjashtohet nga përparësitë e bashkësisë ndërkombëtare. Këtë theksoi imzot Simon Kassas, i ngarkuar me punë pranë Misionit të Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB. Duke folur këto ditë në New York në diskutimin e organizuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përqendruar tek situata në Lindjen e Mesme dhe çështja palestineze, imzot Kassas kujtoi se Selia e Shenjtë mbështet rrugëzgjidhjen e dy Shteteve. Dëshiron, prandaj, një rend gjeopolitik, që t’i parashikojë Shtetin izraelit përbri atij palestinez, në kornizën e paqes e me kufij të njohur në nivel ndërkombëtar.

Rrugëzgjidhja, fryt i bisedimeve

Për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin në perspektivën e bashkëjetesës paqësore - shtoi imzot Kassas - nuk ekziston alternativë tjetër, përveç marrëveshjes së arritur me rrugën e dialogut ndërmjet dy palëve. Rruga, që duhet ndjekur - shtoi - është ajo e bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. E që ky proces të përfundojë me sukses, izraelitë e palestinezë duhet të bëjnë hapa  të rëndësishme përpara për t’i reduktuar tensionet e dhunën. Të dyja palët duhet t’i shmangin veprimet, përfshirë edhe atë të vendbanimeve, që mund t’i kundërvihen impenjimit për  ta zgjidhur problemin me marrëveshje.

Jo fraksione, por një front i përbashkët palestinez

Imzot Kassas kujtoi, më pas, vizitën e presidentit izraelit Shimon Perez dhe të atij palestinez, Mahmoud Abbas në Vatikan, më 2014. Gjatë këtyre takimeve, Papa Françesku bëri thirrje për lutje, për nxitjen e kulturës së dialogut, që edhe breznive të reja t’u lihet trashëgim kultura që di të ndjekë, të përcaktojë e të zbatojë “strategjitë e jetës e jo të vdekjes; të integrimit e jo të përjashtimit”. Rrugëzgjidhja e dy shteteve kërkon edhe që të gjitha fraksionet palestineze  të  kenë vullnet të njëjtë politik e të punojnë së bashku. Një front i bashkuar palestinez - vërejti imzot Kassas - do të ishte themelor për prosperitetin ekonomik, bashkëjetesën shoqërore e stabilitetin politik të Shtetit palestinez.

Çështja e Jeruzalemit

Nuk duhet harruar Jeruzalemi, qytet shenjt i hebrenjve, kristianëve e myslimanëve. Status quo për viset e shenjta është çështje tejet e delikate. Selia e Shenjtë - kujtoi imzot Kassas - konfirmon qëndrimin e  saj  në vijë me bashkësinë ndërkombëtare dhe ripohon se mbështet rrugëzgjidhjen e plotë, të drejtë e të qëndrueshme lidhur me Qytetin e Jeruzalemit. Imzot Kassas  kujtoi edhe një herë rëndësinë e një statusi të posaçëm për qytetin e Jeruzalemit, që të garantohet në nivel ndërkombëtar, për të siguruar lirinë e fesë e të ndërgjegjes. Duhet siguruar edhe hyrja e lirë, e sigurt në vendet e shenjta për besimtarët e të gjitha feve e kombësive. Papa Françesku, të dielën e kaluar, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, bëri përsëri thirrje për Lindjen e Mesme, duke kujtuar tensionet e rënda dhe dhunën e këtyre ditëve në Jeruzalem: “Është e nevojshme – pohoi Ati i Shenjtë  - të bëj thirrje për maturi e dialog”.

Impenjim  e rrugëzgjidhje politike për Lindjen e Mesme

Imzot Kassas u ndalua, më pas, tek situata në zona të ndryshme  të Lindjes së Mesme. Selia e Shenjtë - pohoi - shpreh dhimbje për dramat e shkaktuara nga luftërat e konfliktet në vende të ndryshme, posaçërisht në Siri, Jemen e në veri të Irakut. Në këto zona, situata dramatike humanitare kërkon impenjim  nga ana e të gjithëve, për të arritur tek rrugëzgjidhja e drejtë politike. Papa Françesku - shtoi - i vlerëson thellësisht përpjekjet e palodhura të atyre, që kërkojnë të gjejnë rrugëzgjidhje politike për  t’i dhënë fund konfliktit në Siri,  bazuar mbi parimet e Komunikatës së Gjenevës të 30 qershorit 2012. Një marrëveshje paqësore e arritur nga partitë siriane - nënvizoi – do të siguronte stabilitetin e vendit, kthimin e refugjatëve e të të shpërngulurve, rivendosjen e paqes së qëndrueshme e edhe të pajtimit në gjirin e popullsisë së stërmunduar.  Do të krijoheshin, kështu, rrethanat e nevojshme për përpjekje të suksesshme kundër terrorizmit, duke mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë, unitetin e tërësinë territoriale të Shtetit sirian.

Të mos harrohen bashkësisë e krishtera

Duke folur gjithnjë për Lindjen e Mesme, imzot Kassas kujtoi, në përfundim, se bashkësitë e krishtera banojnë prej më se dymijë vjetësh në këtë rajon, duke bashkëjetuar paqësisht me bashkësitë e tjera. Selia e Shenjtë - përfundoi - e fton bashkësinë ndërkombëtare të mos i harrojë e mendon se shteti i së drejtës, duke përfshirë respektin dhe lirinë fetare, është themelor për vijimin dhe mbrojtjen e bashkëjetesës paqësore.  








All the contents on this site are copyrighted ©.