2017-07-27 15:03:00

I Lumi Tito Brandsma: 75 vjet më parë vritej në Dachau


“Zoti e gjeti të denjë për vete” në një kamp përqendrimi! Me këto fjalë Shën Gjon Pali II, në nëntor 1985, e lumnoi Tito Brandsmën, karmelitan holandez, vdekur në Dachau, më 26 korrik 1942, pikërisht 75 vjet më parë. Me rastin e këtij përvjetori, në Kishën famullitare romake të Shën Marisë në Traspontina, imzot Antonius Lambertus Maria Hurkmans, ipeshkëv nderi i ‘S-Hertogenbosch, kremtoi Meshën përkujtimore.

Tito Brandsma është martir i fesë për gjithë Kishën, nënvizon karmelitani Bruno Secondin, profesor i historisë së përshpirtërisë moderne pranë Universitetit Gregorian: përballë idelogjisë naziste, vijon, ai mbrojti parimet e krishtera ungjillore me një sjellje plot mëshirë, falje, mirëkuptim edhe ndaj gabimeve të atyre, që e persekutonin. Në shpirtin e tij nuk pati kurrë urrejtje, kurrë ndjesi hakmarrjeje.

I lindur më 1881, në moshën 17 vjeçare hyri në Urdhërin Karmelitan. Më pas shërbeu si profesor e rektor i madh i Universitetit katolik të Nimegës. U bë i njohur si studiues i thellë i filozofisë dhe i historisë mistike, por edhe si gazetar e meshtar i interesuar për dialogun ekumenik e respektimin e krijimit.  I vunë prangat, sepse iu kundërvu  urdhërave raciste e antisemite, imponuar nga nazistët shtypit katolik në Hollandë, ku shumica e popullsisë ishte protestante. E edhe pse ra në sy për mirëpritjen dhe ngushëllimin e të gjithë atyre, që nazistët i trajtonin edhe më keq se atë vetë: ciganëve, rusëve, ukrainasve.

E internuan në kampin famëkeq të përqendrimit të Dachau. Në çastet e fundit të jetës i dhuroi një rruzare të thjeshtë infermieres, nësa i bënte injeksionin me acid fenik, që i shkaktoi vdekjen. Vite më pas, dëshmia e kësaj gruaje për jetën e fundin e tij,  qe vendimtare në procesin e lumnimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.