2017-07-26 12:16:00

Martirët si atë Hamel, ndjekin Krishtin e i tërheqin besimtarët


85 vjeç, u ther me thika, duke kremtuar Meshën: sot mbarë bota e kujton atë Jacques Hamel, meshtarin e parë të mbytur me dorën e xhihadistëve në këtë shekull, në Evropë, e pikërisht në Normandinë e Epërme, më 26 korrik të vitit 2016.

Shërbente në Kishën Saint-Etienne-du-Rouvray, kishë me emrin e Shën Shtjefnit, martirit të parë të krishterë. Rastësi? Apo pikë takimi, që të bën ta shikosh shërbesën e martirit francez në dritën e martirit të parë të krishterimit në fasha. E edhe të shumë të tjerëve, të cilët Papa Françesku, në meshën për shpirt të meshtarit francez, i quajti “vëllezër të përndjekur, sepse dëshmitarë besnikë të Ungjillit”:

“Sot shumë të krishterë vriten, torturohen, burgosen, theren në fyt, sepse nuk pranojnë ta mohojnë Krishtin. Kjo histori na çon tek Atë Jacques: ai bën pjesë në këtë zinxhir martirësh. Të krishterët, që sot vuajnë në burgje, torturohen e vdesin për të mos e mohuar Krishtin, e bëjnë të dukshme mizorinë e këtij persekutimi. E këtë mizori, në kërkim të apostazisë, nuk mund ta quajmë ndryshe, përveçse satanike”.

Eshtë pikërisht Shejtani, autor i persekutimeve, siç e dëshmojnë edhe fjalët e fundit të atit Jacques, përballë vrasësve: “Ik, Shejtan!”.

Martirët vriten, sepse nuk duan ta ndjekin Shejtanin. Duan të ecin në gjurmët e Krishtit, të ndjekin Zotin, “Martirin e parë”, “Bukën e tyre të vetme”  - kujton Françesku - sepse nuk kanë nevojë për asgjë tjetër:

“Martiri mund të mendohet si hero, por themelorja në figurën e martirit është hiri: është hiri i Zotit, jo guximi njerëzor, ai që bën martirë”.

Martirët e ditëve tona janë më të shumtë, se ata që ranë për Krishtin në kohët e para të krishterimit - na kujton Françesku - ndërsa mediat nuk kanë gjithaq dëshirë të flasin për ta. Joshen më shumë nga mirazhet e botës, sesa nga ky fakt i jetës njerëzore, që vijon të përsëritet nga breznia në brezni me një forcë të çuditshme e misterioze shpirtërore.

Mediat nuk janë plotësisht të vetëdijshme për flijimin e madh në emër të fesë gjatë dy shekujve të fundit - pohon don Angelo Romano, rektor i Bazilikës së Shën Bartolomeut, Memorial romak i “Martirëve të rinj të shekullit XX e XXI” - ndërmjet të cilëve, edhe martirët e Kishës shqiptare:

“Martirë të shumtë, të njohur, dalë nga gjiri i bashkësive të tëra krishtera - kujton don Angelo - por edhe martirë “të panjohur”, burra e gra që, në valën e martirizmit, gjetën shtigje të reja për ta jetuar Ungjillin, të krishterë që dinë ta duan me gjithë zemër tjetrin, pa pritur shpërblim, në një botë materialiste e individualiste. I tërheq fuqimisht Krishti, duan t’i ngjasin, të ecin në gjurmët e Tij”.

E pikërisht kjo ndodhi me atë Jacques, vdekja e të cilit e tronditi fuqimisht ndërgjegjen e Francës. Kështu - përfundon meshtari - kuptohet edhe shprehja e lashtë e krishterë: “Gjaku i martirëve është farë e të krishterëve të rinj”: nuk ka dyshim se Zoti e mundi të keqen e ne duhet të jemi në lartësinë e detyrës që na ngarkoi, domethënë ta kumtojmë Ungjillin, në në një botë që ka shumë nevojë.   








All the contents on this site are copyrighted ©.